Familjarë dhe të afërm të 8-vjeçarit Mateo Vasiu kanë reaguar ashpërsisht në Gjykatën e Fierit, duke sfiduar e çarë nën zemërim çdo kordon policor, teksa pritej që Klodian Çalamani, delikuenti që i morri jetën barbarisht, ende pakuptueshëm pse, të dilte për masën e arrestit.
Mes britmash e të qarash në dëshpërimi i thellë, krejtësisht i mirëkuptueshëm, policët ishin të pafuqishëm për t’i ndaluar.
Ata kërkojnë, as më pak e as më shumë, në emër të drejtësisë, që Çalamani të varet.
Ata nuk pranojnë që ai të vijojë jetën, edhe pse në burg, pasi thonë se aty do jetë si në hotel në raport me varfërinë ku jetojnë jashtë.
Por në atë varfëri, ai ishte një përbindësh.
“Të varet ai mostër! Në mes Të fierit ta varin, ta varin ta shohim të gjithë”, tha nëna zemërthyer e Mateos së ndjerë.
“Varje, varje….”, klithte dhe i ati teksa ecte rrugëve të Fierit (në foton kryesore).
Pra, rasti tragjik ka rihapur debatin e rikthimit të dënimit kapital në Shqipëri, një gjë gati e pamundur.
Për ironi, dy ekzekutimet e fundi me varje në Shqipëri, në fillim të viteve 90-të, kanë ndodhur në qendër të Fierit, me dy persona që shuan kriminalisht një familje. /sarandacity.al/