Nën optikën e sotme, krijimi në më shumë se 55 vjet të shkuara dhe ekzistenca e një fanfare në një qytet të vogël e të skajshëm si Saranda, të shfaqen si një arritje që të ve në mendime. Duke lënë pas në këtë pikë jo vetëm qytete të tjerë të vegjël, të “sërës” së saj, por edhe të tjerë, me tipare të spikatura qytetare si Gjirokastra fqinje, (nga e cila ka mbajtur sytë tërë kohën, duke “huajtur” tradicionalisht në monizëm edhe drejtuesit e vet), Saranda, me fanfarën e saj, është si ajo ferra e vogël që fsheh lepurin e madh.
1.Erdhi banda…
Një ndjenjë kënaqësie të përzier me habinë, provuan qytetarët e Sarandës një ditë të vitit 1966, kur në rrugët e saj panë të ecnin e të “bënin muzikë” me veglat frymore në buzë ca njerëz që i njihnin edhe për fytyrë e emër për emër. Të shumtët ishin të njohur si “ustallarë” hekurash në ish-parkun e mallrave: Jani Camandjoti e Llambro Vogli frezatorë, Spiro Kaçi e Jorgo Çondi tornitorë, elektroautët e përsosur Sotir Klironomi e Ilki Preja. Fanfara bashkoi me ta edhe tipografët e vjetër Thanas Angjeli e Spiro Nikolla, rrobaqepësin Kristo Liti, ndërtuesin Dhanil Plaku, specalistin e hidrovoreve Dhimo Lira, këpucarin Esat Telha, që mori edhe të vëllanë, Fatmirin, një talent në klarinetë. “Repart” më vete krijonte Thoma Zhupa me grand-kasën e vet, rrypi i së cilës ia lodhte supin e pakët, por i jepte kënaqësi. Këta iu bashkuan profesionistëve Fani Nako e Andrea Rafti dhe vëllezërve virtuozë Luan e Agim Halili, si dhe trompistit të diplomuar Pajtim Hodri. Dhe krijuan fanfarën e qytetit, që për më kollaj thirrej “banda”. Kjo ishte bërthama, së cilës iu bashkuan deri edhe gjimnazistë të vitit të parë si: Nikua, Spirua e Thomai.
-Në fakt ajo ishte një trupë amatore- kujton Sotiri- e krijuar me pjesëmarrjen e 24 vetave, të zgjedhur prej atyre njerëzve që në shtëpinë e kulturës së asaj kohe gjenin diçka nga ngrohtësia e shtëpisë…
-Me kalimin e viteve, e kuptojmë qartazi se edhe bërja e Sarandës me fanfarën e saj-thoshte tipografi i vjetër, Nashua, ishte pjesë e guximit dhe e “marrëzisë” së një të riu që donte të tregojë ç’është në gjendje të bëjë për qytetin e vet, pas mbarimit të një shkolle që të thotë: tani e ke vetë në dorë të bëhesh e të tregohesh artist…
Djaloshi i pashëm, i cili u printe njerëzve që “prodhonin” tinguj e melodira marciale nëpër rrugët e Sarandës, ishte Limos Dizdari. Një shef muzike “qumështor”, sa kishte mbaruar “artet”, që atëherë nënkuptoheshin me fjalën “konservator”. Ende nuk e kishte një emër, por kishte një barrë ëndrra dhe shumë pasion artisti. Nga lëvizjet e shkopit të dirigjentit në ecje e sipër kaçurrelat e bukura i kërcenin mbi ballë, teksa drejtonte ata njerëz që u bënë “çudia” e fundit e qytetit. Katër vite më parë qe themeluar estrada profesioniste e qytetit, që do të bënte emër, aq sa për të parë shfaqjet e saj do “të vriteshin” edhe në kryeqytet para sportelit të biletave.
Djaloshi i ri nga Rusani i Delvinës e kish ndarë mendjen t’ia prishte përgjumjen këtij qyteti. Me mjetin më të sigurtë e më të këndshëm-muzikën.
Kështu lindën ansamblet dhe koret e mëdha, të cilat ishin të parat që me koncertet e tyre shumë të ndjekura dhe të mbetura edhe sot në kujtesën e saranditëve autoktonë “zbuluan” skenën e amfiteatrit të Butrintit në vitet ’70.
Kështu lindi edhe ajo trupë modeste e 24 amatorëve të veglave të frymës: trompat solistike dhe harmonike, tromponat tenor dhe bas, klarinetat e deri tek pjatat e Ilkiut.
2.Dirigjentët, repertori, kostumet
Koncertet e para u organizuan nën dirigjimin e L.Dizdarit. Por ata që i jepnin këto koncerte kishin nevojë të punonin gati përditë për t’u ushtruar në veglën që luanin. Kjo kërkonte që dikush të merrej me drejtimin e trupës të paktën tri herë në javë. Muzikanti i ri do ta shkarkonte këtë barrë tek plaku i mësuar Illo Papadhima, të cilit që në ato vite i thërrisnin “barba Illo”. Këtë “zanat” ai e kish “vjedhur” kur qe ushtar e kish përfunduar si trompist vite të tëra në bandën mbretërore të Zogut në Tiranë.
E ai u tregua Iigatshëm e i aftë ta merrte përsipër drejtimin e fanfarës, duke ndjerë nga afër edhe ndihmën e kualifikuar të profesorit të trompës Osman Banushi, të klarinetistit të dëgjuar në vend Ramazan Kaponja e të tjerëve, që rritjen e fanfarës së Sarandës e kanë nxitur dhe ndjekur nga afër. Me asistencën e tyre të pandarë dhe me Barba Illon e përkushtuar në krye, ajo do të merrte fytyrë e do të ishte prezente në gjithë “sebepet” e mëdha festive, promovuese e mortore të qytetit.
Por edhe pa pritur këto “sebepe”, shkallët e podiumit të koncerteve në sheshin e qytetit trupa e fanfarës i ngjiste të paktën çdo 3 muaj. Për moshën e thyer të Barba Illos provat me njerëz, ku jo të gjithë njihnin notën dhe mundeshin të kapnin ritmin e ngjyrimin muzikor, ishin vërtet të mundimshme. Por ai që nuk u bë dot asnjëherë prind, punoi që fanfarën t’ia linte qytetit si trashëgiminë e vetme të tij. Nuk kishte preokupacion tjetër më të madh për të, se sa që fanfara të ishte fanfarë. Dhe e përsëriste shpesh:
-E dini si do dukej Saranda pa fanfarë? Si ai kostumi i bukur, të cilit mungon jaka…
Që kostumi modest i qytetit turistik, të prerë sipas kohës, të kish të paktën një “jakë” simpatike, punuan si artistë me fanfarën në vite edhe Nikollaq Papa e Thoma Gjoni. Partiturat e zhdukura të fanfarës mbanin për titull nga Hymni i Flamurit, Kushtrimi i Lirisë, Marshi i Fizkulturistëve e deri tek më befasuesit, që nxjerrin te “Nabuco”, te Shopen etj., etj.
Me kohë fanfaristët u bënë më të dallueshëm e më “zyrtarë” me kostumet që vishnin nëpër koncertet që jepnin. Jani Camandjoti, që për shumë kohë ishte edhe “kujdestari” që mbajti regjistrin e mungesave nga provat dhe koncertet, kujton se deri në vitet ‘90 patën ndërruar katër kostume të hijshme, të qepura nga rrobaqepës klasi si Miço Gaço e Jorgo Çakuli me shokë dhe me stile që varjojnë nga klasikja tek i pari e deri tek sportivi në të fundit, që (ashtu si togun e fotografive që përcjellin traditë) e ha mola prej vitesh në rekuizitën e kinoteatrit.
Më “veteranët” kujtojnë se edhe shpërblimi nuk ishte i keq për kohën. Niko Gjini, ish-gjimnazisti i atëhershëm, sot rreth të 70-ave, ruan ende si relikë një librezë kursimi ku fuste 1000-lekëshin e përmuajshëm që merrte si shpërblim nga fanfara.
3.Asnjë tingull në funeralin e maestros
Një ditë, në një moshë rreth të 80-ave, dirigjenti i parë i bandës mbylli sytë. Ende nuk kish perënduar koha e diktaturës. Për ta nderuar e për t’i njohur meritën e asaj krijese që I la qytetit, ishte një dëshirë e vetvetishme ajo që përcjelljen për në banesën e fundit t’ia bënin “nxënësit” e tij. Me gjuhë muzikore, duke i bërë veglat të qanin në funeralin e tij. Por jo!
-Guxova dhe e çova këtë kërkesë në dyert e komitetit të partisë-tregonte Nikollaq Papa, një prej vazhduesve të veprës së tij me fanfarën. – Por dola i turpëruar e i fyer nga ajo derë- kujtonte ai. – Më treguan kriteret strikte se kush meritonte të varrosej me fanfarë. Kuptohet, nomenklatura. Dhe shyqyr që shava me vete…
Ndodhi që marshet funebër mbi varrin e Illo Papadhimës nuk u luajtën dot, duke u bërë kjo mungesa më vrasëse në funeralin e maestros.
4.Modeli: në traditën muzikore delvinjote
Gjenden edhe burime të shkruara që provojnë se fanfara e Sarandës është vazhdim I asaj tradite që ka ekzistuar fillimisht në Delvinë e që çon në fundin e vitit 1909. Shoqëria muzikore e klubit “Bashkimi” u bë atëherë nismëtare e krijimit të bandës muzikore. Në qëllimin e saj, shkruan historiani Apostol Pango në “Enciklopedia e Delvinës dhe e Sarandës”, ishte t’u mësonte të rinjve këngë patriotike për t’i luajtur ato në mandolinë e kitarë, si dhe për të gjallëruar jetën kulturore të qytetit. Kjo bandë muzikore ndihmoi në ngritjen e një formacioni të tillë edhe në Gjirokastër. Gazeta “Korca”, duke përgëzuar formimin e kësaj bande më 26.2.1910, midis të tjerave, shkruante: “Gjirokastra mbetet më prapa nga Delvina”.
Ushqimi i bandës muzikore ishte poezia, sidomos vargjet e Naim Frashërit, Çajupit dhe këngët popullore. Ajo u bë baza e organizimit të sazeve të Delvinës dhe solli gjallërim të veprimtarive kulturore muzikore në vitet e shpalljes së pavarësisë, gjatë luftës së Vlorës dhe lëvizjes demokratike të viteve 1921-1924.
5.Akujt 10-vjecarë u shkrinë
Riformatimi i fanfarës së ngrirë në dekadën e vështirë 1990-2000, nisi si një premtim elektoral i kryebashkiakut Adrian Shehu, i konvertuar sot në një prezencë të re të saj në jetën e qytetit turistik. E krijuar në janarin e 2001-shit, fanfara gjendet sot në kufijtë minimalë të përbërjes, sipas drejtuesit të saj Namik Xhaferi. Për mbajtjen më këmbë të së cilës shpenzohen fare pak në vit. Ndërsa është I kompletuar sektori I trompave, ka mungesa të ndjeshme në veglat e drunjta.
E megjithëkëtë, ajo është prezente dhe e mirëpritur në ngjarjet lokale e kombëtare, duke plotësuar imazhin e një qyteti të civilizuar.
Publiku sarandit e ka ndjerë praninë e saj sëfundmi në inaugurimin e ndriçimit të një prej rrugëve skajore, në pritjen e personaliteteve që e kanë vizituar qytetin, në çeljen e sezonit turistik, evente të ndryshme lokale.
Ndonëse ajo njeh detyrimin për të dhënë një shfaqje në muaj, fanfara e sotshme përjeton krizën e instrumenteve të amortizuar, që shumëkush e sheh si të pakapërcyeshme për efektet finanaciare që ka.
Është koha e pretendimeve si për pasurimin e repertorit edhe për t’I shtuar radhët e fanfarës me instrumentistë të kualifikuar, duke I varur shpresat tek djemtë dhe vajzat e bankave të shkollave 9-vjeçare, që kanë hobi muzikën dhe instrumentat e frymës. Kryebashkiaku aktual Adrian Gurma ka shpalosur vizionin që ta bëjë qytetin me një Orkestër Frymore të Fëmijëve. Me këtë ka lidhje ftesa dhe thirrja që u është bërë së fundmi fëmijëve të moshave 8 – 14 vjeç, me prirje muzikore, për t’u bërë bërthama e një formacioni të tillë orkestral. Qendra Kulturore e Fëmijëve do të ofrojë infrastrukturën e saj modeste për të përgatitur këta instrumentistë të rinj. Doemos që edhe fonde do të destinohen për këtë qëllim, edhe instruktorë sa më aftë do të afrohen, me shpresë që vizioni dhe dëshira për t’i dhënë Sarandës një brez të ri “banditësh muzikorë” do të konvertohen në produkt dhe ardhmëri të siguruar për “jakën” e kostumit të qytetit që ofron turizëm dhe progreson prej tij.
Do të bëhej aq mirë, në se në këtë sfidë hidhen sytë edhe nga qyteti i Korfuzit, i cili shquhet në gjithë Greqinë për traditën e shkëlqyer dhe për ekzistencën e 26 fanfarave e bandave. Kjo shihet si një mundësi, nga e cila mund të përfitohet në kuadër të binjakëzimit gati 30-vjeçar që ekziston mes dy brigjeve. Falë klimës së mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, që sa vjen e zgjerohet edhe në fushë të kulturës, është plotësisht e mundur çdo mbështetje e kërkuar. Saranda ka atje një muzikant të shquar si Vladimir Kotani, i integruar admirueshëm në formacionet muzikore më me zë në Korfuz, deri tek Filarmonia e ishullit helen, përballë nesh.
Thoma Nika – /sarandacity.al/