Shteti do marrë përsipër riparimin e anijeve të peshkimit, sipas një premtimi të dhënë nga qeveria, në paraqitjen e Buxhetit 2022 në sektorin e Peshkimit.
“Do të vijojmë rinovimin e flotës së peshkimit duke mbështetur riparimin anijeve. Do të rrisim eficencën energjetike. Do të rrisim sigurinë ushqimore, për mbështetje e sigurisë së frigoriferëve në anije. Do të punojmë fort për sektorin prodhimit”, tha ministrja Frida Krifca në fjalën e saj.
Më tej, ajo u ndal tek potenciali që ka vendi ynë tek eksporti i açugeve, sektor për të cilin siç tha, janë nisur negociatat me Bashkimin Evropian për rritjen e kuotave të açugeve të përpunuara.
Janë 28 fabrika të përpunimit që kanë auzorizim për eksport në BE. Nga kjo rritje, sipas Krifcës, parashikohet se impakti direkt do të jetë rritja me 4000 persona të punësuar në këtë industri.
Gjithashtu, ministrja shtoi se akuakultura përfaqëson një sektor të rëndësishëm dhe zotëron një potencial të madh.
“Prodhimi i përgjithshëm nga uji i ëmbël, uji i njelmët dhe mjedisi detar, është rritur gjatë viteve të fundit, nga 3450 ton në vitin 2012, në 8799 ton në vitin 2020”, tha ministrja e re e Bujqësisë. /sarandacity.al/