Paralel me lajmin e kobshëm të jetëhumbjes së 46 shqiptarëve në një aksident tragjik në Bullgari, ishte dhe ai mbi ikjen nga kjo botë të një prej personazheve të showbiz-it shqiptar ndër vite, Hueyda El Sayed.
Ajo u shua në moshën 46-vjeçare, në Luksemburg ku bënte një jetë familjare, bashkëshorte dhe nënë e një fëmije të vogël.
Ajo u shfaq në ekran që në vitet e para 90-të, në spektaklet e asaj kohe, fillimisht si balerinë, për të qenë më pas personazh dhe pjesë e diskursit kulturor shqiptar, me kahje nga spektakli.
Me natyrë të spikatur fëminore, sidomos nga e folura e shpenguar, ajo tërhiqte dhe me pamjen e saj prej një mulateje simpatike. Madje kjo karakteristike pamore e fizikut të saj do qe elementi më imponues i saj në jetën publike.
Për herë të parë, ajo u shfaq si figurante në një film, në pak sekuenca, duke luajtur prej statusit të saj si nxënëse e “Jordan Misja”-s, ku dhe ishte realisht. Bëhet fjalë për filmin “Një djalë dhe një vajzë” i vitit 1990, e cila e ka të shtrirë fabulën dhe te kjo shkollë e njohur e artit në Tiranë.
Aty, lozonjarja El Sayed shfaqet madje paksa e shëndetshme në raport me elegancën e shfaqur vite më vonë kur do bëhej e njohur.
Edhe njëherë preardhja e saj, sipas një profili që iu bë në media këtë të martë, pas lajmit për ikjen nga kjo jetë:
“Shumë e shihnin në ekran, me intervista, dhe janë kuriozuar me vajzën që në treçerekun e vet është nga Sudani, siç ka rrëfyer gjithmonë në komunikimin publik. Stërgjyshi i saj ka qenë peshkatar dhe në ardhjen e tij në Durrës, ka njohur një turkeshë të bukur që kishte një djalë. Bashkë bënë 14 fëmijë të tjerë. Një prej tyre ishte gjyshja e Hueyda-s që ka qenë këngëtare. Kur këndonte, një shkodran, që është gjyshi i saj e pa dhe u dashurua menjëherë. Gjyshi i Hueyda-s e kishte emrin Hysen, dhe Hyeida, emrin e tij e përjetësoi tek djali i saj i vetëm. Gjyshërit e Hueyda-s bënë dy vajza, dhe mami i saj, në vitet ’70 njeh një djalë që vinte nga Sudani për të studiuar në Shqipëri në fakultetin e Gjeologjisë.
Fëmijëria e saj kalon në persekutimet e regjimit komunist, kur i ati, pasi mbaroi studimet, duhet të nisej në Tripoli e Hueyda ishte vetëm tre vjeç. Por autoritetet nuk e lejojnë vajzën dhe të ëmën me pretendimin se ishin shtetase shqiptare. Udhëton vetëm i ati që vajzën e vogël nuk e pa më kurrë, derisa u bë 16 vjeç e kur muret e regjimit komunist ranë.
“Kam qenë në vitin e katërt kur babai erdhi në shkollë. E shoh kur vjen dhe nuk dija si ti flisja. Ai kthehet dhe më thotë ‘Hueyda, jam babai’. Ka qenë një nga takimet më emocionuese, pasi atij i njihja vetëm zërin”, rrëfeu ajo këtë histori në shkurt 2017, në emisionin “Xing me Ermalin”. /sarandacity.al/