Qeveria ka vendosur t’u ndyshojë pamjen disa doganave në funksion të turizmit. Për këtë, ajo ka vendosur një fond të veçantë në buxhet, ku përfshihet dhe ndëryrja në mjedisin përreth.
Realisht, doganat janë impakti i parë i të huajve me vendin tonë dhe rëndësia e tyre tashmë që ka flukse të mëdha turistike, bëhet akoma dhe më e madhe. E tillë është Kakavija në jug, por jo pak Qafë Bota apo dhe Porti i Sarandës.
Vite më parë, kur Rama qe një penë e fortë publicistike, do përshkruante dhe një doganë të Jugut, pa e specifikuar, ku në pak rreshta vizaton atë dhe ata që shërbejnë aty.
Ja ç’shkruante ai:
“….Kësisoj, ishin vetëm dy bashkëatdhetarët e mi dhe unë që u paraqitëm sipas “rregullit”: Unë më pasaportë të rëndomtë, tjetri, aktor i njohur me psaportë shërbimi e i treti, deputet, me pasaportë diplomatike; erdhi pak më pas dhe një shofer i vjetër, të cilin polici e shtyu pa e lënë të futej në atë farë zyre duke i thënë me arrogancë të mbante rradhën.
Dhoma ku kryheshin formalitetet qe një frigorifer natyral ku bënte më ftohtë brenda se jashtë, ndoshta për shkak të xhamave të thyer që krijonin korent.
Pisllëku të merrte sytë, poçi i elektrikut dukej sikur kishte varur veten, mbi një regjistër nga ata të kohës së pordhës një polic i ulur në të vetmen karrige shkruante me një rezervë kauçuku të kafshuar keq në majë, numrat e pasaportave, kurse pranë tij një polic i tretë ngrohte këmbët mbi një furnellë të improvizuar duke lexuar gazetën ‘Zëri i Popullit’.
Po të besoje se nuk qe ëndërr, siç dhe në të vërtetë ëndërr nuk qe, atëherë i binte të mos ishim në doganën e një shtetit anëtar të Këshillit të Europës po në zyrën e formaliteteve për të hyrë në ferr….”. /sarandacity.al/