Shatërvani që gjendet në zemër të lulishtes në qendër të Sarandës ka kushtuar 90 milion lekë në kohën e ndërtimit.
Ky shatërvan, i cili lidhet me emrin e Fatos Nanos zë një sipërfaqe rreth 1000 metra katrorë. Ai u ndërtua nën atmosferën elektorale të zgjedhjeve të vitit 2005, ku ish-kryetari dhe ish-kryeministri socialist do kandidonte si deputet në Sarandë.
Shatërvani ishte pjesë e lulishtes së re, e cila u ndërtua mbi gërmadhat e një godine të vjetër të shembur, e cila kishte kryer disa funksione shtetërore. E gjithë sipërfaqja e lulishtes është 5 mijë metra katrorë.
Ndërkohë, emri i një tjetër Nanoje lidhet me këtë lulishte, e ai është Luto Nano, sipërmarës në këtë vepër publike.
Në ato kohë, ai do thoshte se shatarvani, “i realizuar sipas një teknologjie shumë bashkëkohore dhe si prodhim e montim nga konstruktorë kinezë, është një lojë dritash dhe shtresash ujore me njëra-tjetërën, të cilat krijojnë në lartësi dhjetëra imazhe, si ato të tymnajës, të delfinëve, të fishekzjarreve, të dallgëzimeve të vrullshme etj. Shatërvani përmban më shumë se 1500 llampa të madhësive dhe ngjyrimeve të ndryshme, të cilat notojnë në ujë dhe japin reflekse gjithfarëshe”.
Po si quhej lulishtja asokohe, pasi sot quhet “Miqësia”?
Ajo do kishte emrin e palmave, pasi 40 rrënjë palmash do mbilleshin në të. Pra quhej “Lulishtja e Palmave”. /sarandacity.al/