Dimri sapo ka mbërritur – të paktën 6 javë me vonesë – dhe si çdo vit në këto periudhë, ngrihet sërish diskutimi: përse verat po bëhen gjithnjë e më të gjata, e dimrat gjithnjë e më të shkurtër? E mbi të gjitha, ç‘pasoja mund të ketë kjo mbi mjedisin dhe jetën tonë këtu në tokë?
Ndërkohë që verat zgjaten, vjeshta dhe dimri po bëhen gjithnjë e më të shkurtër në Hemisferën Veriore. Shkencëtarë të ndryshëm madje sugjerojnë se në vende të caktuara mund të fillojmë të shohim edhe një eliminim tërësisht të stinës së vjeshtës.
Shumë prej nesh mund të kujtojmë një shprehje të gjyshërve tanë, të cilët thoshin se sa më vonë të vij dimri, aq më i ftohtë do të jetë.
Por së fundmi, stinët kanë qenë totalisht jashtë kontrollit. Gjatë 7 dekadave të fundit, studiuesit kanë vënë re se temperaturat e larta të verës kanë nisur të vijnë më herët dhe të zgjasin më gjatë si pasojë e ngrohjes globale.
Edhe kjo verë nuk ishte përjashtim. Në Shqipëri kaluam disa episode të të nxehtit afrikan të shoqëruar me zjarre masive.
Në fund të këtij shekulli, shkencëtarët e klimës paralajmërojnë se verat mund të zgjasin deri në 6 muaj, ndërsa dimri mund të mos zgjasë më shumë se 2 muaj.
Në një studim të fundit ekspërtët ekzaminuan ndryshimet ciklike të stinëve nga viti 1952-2011, dhe dolën në përfundimin se 4 stinët po vinin e iknin me intervale të çrregullta.
Gjatë këtij intervali kohor, gjatësia e verës u rrit nga 78 në 95 ditë – ose rreth 4.2 ditë për çdo dekadë që nga viti 1952. Dimri u kontraktua nga 76 ditë në 73 ditë – ose 2.1 ditë për dekadë. Pranvera u shkurtua nga 124 – 115 ditë ndërsa vjeshta nga 87 në 82 ditë. Gjithashtu, të gjitha stinët janë bërë më të nxehta.
Ndryshimet më të dukshme në kohëzgjatjen sezonale u vunë re në zonën e Mesdheut dhe Rrafshnaltën Tibetiane.
Katalizatorët kryesorë të këtyre trendeve shqetësuese sipas studimit të Yuping Guan janë pikërisht emetimet e gazrave serë të shkaktuara nga aktivitetet njerëzore. Nëse këto emetime nuk ngadalësohen, ndryshimet sezonale do të bëhen gjithnjë e më intensive në dekadat në vijim.
Nëse vazhdojmë me të njëjtin hap, projektimet për vitin 2100 tregojnë se vera mund të zgjasë 6 muaj, ndërsa vjeshta dhe pranvera mund të zhduken tërësisht.
Aspekti më alarmues i këtyre cikleve sezonale është pikërisht ndikimi i tyre në ambient dhe detyrimisht edhe në shëndetin tonë.
Ndikimet e verave më të gjata dhe dimrave më të shkurtër
Ndërkohë që verat më të gjata mund të tingëllojnë si lajmi më i mirë për diell-dashësit, nuk duhet të harrojmë se edhe ndryshimet më të vogla sezonale mund të hedhin në tokë balancën e ekosistemeve tona, duke nisur nga prodhimi i të korrave edhe deri tek rritja e numrit të sëmundjeve që vijnë si pasojë e mushkonjave.
Kafshët dhe shëndeti i njeriut
Verat e gjata mund të ndikojnë në cilësinë e ujit të liqeneve. Ujërat më të nxehtë për periudha të zgjatura mund të shkaktojmë alga toksike. Cilësia e ulët e ujit ndikon edhe tek peshqit e deri tek shumimi i mushkonjave bartëse të sëmundjeve të shumta ngjitëse. Ndërkohë që temperaturat rriten dhe ngrohja globale shtrihet në të gjithë botën, kjo do të mund t’i shtyjë mushkonjat tropikale të lëvizin për në veri në vende si Mesdheu apo Europa veriore, duke mbartur me vete, sëmundje si ethet tropikale, gripi i verdhë, Zika etj.
Alergjitë mund të jenë një tjetër pasojë e ndryshimeve sezonale, pasi çelja më e hershme e luleve ndikon në zgjatjen e sezonit të polenit.
Kushtet e motit ekstrem
Nuk është e vështirë për të imagjinuar se si mund të ndikojnë temperaturat e larta gjatë viteve në ngjarjet e motit ekstrem – kjo përfshinë valët e të nxehtit, thatësirat dhe zjarret masive. Ky vit shënoi temperaturën rekord më të lartë që prej vitit 1936.
Bujqësia
Ky sektor mund të jetë ndër më të ndikuarit që do të vuaj pasoja ta jashtëzakonshme, duke nisur nga zjarret e deri tek thatësirat.
Impakti ekonomik se pasojë e kësaj do të ishte i pashmangshëm.
“Është thjesht një tjetër shembull se si të gjithë këto sistem janë të ndërlidhur. Dhe nëse nis të ndërhysh tek njëra pjesëz e sistemit, duhet të presësh që të gjithë pjesët e tjera do të ndikohen gjithashtu. Nëse nuk veprojmë tani, gjithçka do të na gjej tërësisht të papërgatitur,” shprehet Anna Michalak, Shkencëtare e Klimës në Institutin Shkencor të Carnegie, Uashington DC . /Euronews/