Edhe Nevila Nika, historiane, ish-drejtuese e Arkivës së Shtetit në kohën e Berishës, me prirje të djathta, tha se “Figura e Enver Hoxhës nuk mund të shihet vetëm zi”.
“Duhet kapërcyer vështrimi i të parit bardh e zi të disa figurave apo ngjarjeve historike përfshirë dhe Enver Hoxhën. Duhet thënë për atë që bëri e atë që nuk bëri. Ai udhëhoqi Shqipërinë për 45 vjet me të mirat dhe të këqiat”, tha znj. Nika, pak pas festave të nëntorit, ku sërish u rikthye debate mbi luftën dhe rolin e ish-diktatorit komunist shqiptar.
Ajo e tha këtë në Konferencën “Demistifikimi i historisë dhe e ardhmja”.
Nga ana tjetër, Ardit Bido, një delvinjot, drejtor aktual i Arkivave, tha se rishkrimi i historisë ka marrë një konotacion negativ.
“Rishkrimi i historisë konsiderohet sikur do hidhen gjithë tezat e tanishme dhe do ndryshohet gjithçka.
Por kjo është thjesht një punë e përgjithshme e historianit. Rishkrimi ka marrë një konotacion negativ në diskutimin publik”. /sarandacity.al/