Komiteti Teknik i Ekspertëve COVID bëri me dije se për shkak të stinës së dimrit dhe variantit Omicron, masat kufizuese do të shtohen për të ndaluar përhapjen e virusit.
Më kryesorja, deri më 31 dhjetor, të gjithë punonjësit e administratës publike, qendrave tregtare dhe supermarketeve do të duhet të vaksinohen. Nga data 4 janar atyre do u kërkohet certifikata e vaksinimit.
Që nga 3 dhjetori e në tre javët në vijim do të ndalohet hyrja në Shqipëri për shtetasit që kanë udhëtuar në vendet e Afrikës së Jugut, Kenia, Angola, Zambia, Bostëana dhe Senegal. Ndërkohë për shqiptarët që kanë udhëtuar drejt vendeve të lartpërmendura, do të bëhet karantinimi për 14 ditë në shtëpinë e tyre në momentin që kthehen në Shqipëri.
Por ora policore nuk ndryshon, ndërsa maskat janë të detyrueshme ne ambientet e mbyllura.
Grumbullimet lejohen deri në maksimumi 50 persona, ndërsa aktivitetet me spektatorë do të bëhen me 30% të kapacitetit të publikut.
Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli deklaroi gjithashtu se të gjithë personat mbi 18 vjeç që kanë kaluar 6 muaj nga injektimi me dozën e dytë të vaksinës anti-COVID duhet të bëjnë dozën përforcuese.
Anëtarët e Komitetit Teknik të Ekspertëve rekomanduan që të gjithë të vaksinohen dhe të mos e shmangin procesin nëse nuk kanë arsye të forta.
Nga të dhënat kombëtare bëhet me dije se situata është e qëndrueshme ndërsa procesi i vaksinimit me dozën e tretë po ecën me të njëjtat ritme siç ka ecur procesi i vaksinimit me dy dozat e para.
Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive Silva Bino tha se nga analizat në të gjithë vendin rezulton se infektimi është 10 herë më i lartë te të pavaksinuarit. /sarandacity.al/