Për herë të parë, atdheu i Shvejkut, apo dhe e Vaclav Havelit, figurës më simpatike në rrëzimet e regjimeve komuniste në Lindje, pra Çekia, do ketë një Konsullatë Nderi në Shqipëri dhe kjo pikërisht në Sarandë. Njëherësh, ajo do ta shtrijë veprimtarinë dhe shërbimet konsullore edhe në Vlorë dhe Gjirokastër.
Pra, Saranda bëhet kështu qyteti ku do të nisë të funksionojë e para konsullatë nderi e Çekisë në vendin tonë.
Siç informohet nga zëdhënësi i Bashkisë Thoma Nikam, Konsulle Nderi pritet të emërohet znj. Lolita Poda Jorkiewits, përmes një ceremonie zyrtare afër mesditës së të premtes së 17 dhjetorit 2021, me pjesëmarrje të diplomatëve çekë, të autoriteteve vendore nga Saranda, Vlora e Gjirokastra dhe përfaqësues të Dhomave të Tregtisë e Industrisë, biznesmenë të spikatur në jugun shqiptar dhe mediat.
Selia e kësaj konsullate do të jetë në segmentin më turistik të rrugës Turizëm-Kanali i Çukës.
Lajmi se ishte zgjedhur Saranda për hapjen e kësaj selie diplomatike të Çekisë, u dha nga ambasadori i Republikës së Çekisë, Jaroslav Ludva, në një takim me Kryebashkiakun e Sarandës, Adrian Gurma korrikun e sivjetëm.
Historikisht Saranda ka patur tri konsullata: atë italiane, greke e rumune. Kjo është e para Konsullatë Nderi. /sarandacity.al/