Kryeministri Rama paralajmëroi mbylljen së shpejti të Kadastrave, si radhë pritjeje, sorollatjeje, e më kaq akoma dhe allishverishe, pasi sipas tij, ajo që njeriu pretë marrë, një dokument pronësie, do i vijë te celulari.
Kadastra do mbyllet. Duam që brenda këtij mandati titulli i pronësisë të vijë në telefon. Të vijë në kompjuter. Të mos ketë më lidhje me godina apo me njerëz me godina. Kjo është faza tjetër. Në këtë fazë ku jemi është e mundur të mos shkojmë fare në Kadastër.
Nëse deri sot qytetarët për të marrë një shërbim kanë qenë të detyruar, kjo nuk do ekzistojë më. Sepse ti do bësh vetëm aplikimin dhe për të gjitha letrat që deri më sot i ke siguruar ti si qytetar, tani do i sigurojë ajo zyrë ku ti aplikon. Ti nuk do shkosh më të marrësh dëshmi penaliteti. Do e marrë për ty zyra përkatëse ku ti ke bërë aplikimin.
Ata që e kanë mendjen të shohin xhepat si kasapi që hap dyqanin në mëngjes, nuk do shohin më njeri. Do shohin vetëm ekranin e kompjuterit. Ky është një realitet sot që duhet përdorur. Ne, duke parë eksperiencat e vendeve të tjera, e dimë se nëse do ta lëmë këtë gjë që të jetë një proces që shërbimi të merret nga telefoni, kjo nuk mbaron kurrë. Prandaj ne do i mbyllim sportelet”, ishet ajo çfarë tha i pari i qeverisë.
Megjithatë, tha Rama, “askush, nuk do t’i shmanget përgjegjësisë për mosdhënien e përgjigjes në kohë”. Pra, edhe online. /sarandacity.al/