Një prej procedurave të prokurimit publik për aksin rrugor Kardhiq-Delvinë është ankimuar pranë Komisionit të Prokurimit Publik, teksa konsorciumi i 2 kompanive kundërshton vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, duke kërkuar anulimin e tij. Bëhet fjalë për lotin 8 të kësaj rruge, me fond limit 281 mln lekë, që u zhvillua gjatë muajit nëntor të këtij viti.
Sipas dokumentit, operatorët ankimues nuk janë dakord edhe me vlerësimin e pikëve për ofertën e tyre, ndërsa ngrejnë pretendime për mospërmbushje nga ana e operatorit ekonomik fitues të kritereve të tenderit.
Do të jetë vendimi i Komisionit të Prokurimit Publik që do të përcaktojë se cila nga palët ka të drejtë, por ndërkohë kjo ankesë ka sjellë të tjera vonesa në përmbylljen e punimeve në këtë aks rrugor.