Rebeshet e shiut gjatë natës dhe mëngjesin e së shtunës kanë krijuar probleme të shumta në Gjirokastër, ku sërish, edhe pas investimeve të para pak vitesh, përroi i Çullos dhe ai i Sopotit dolën nga shtrati dhe shkaktuan përmbytje. Ndaj kryebashkiaku i atyshëm Flamur Golemi, ka bërë apel:
“Orë të vështira për shkak të motit me reshje intensive, që sipas parashikimeve do të vijojnë edhe gjatë ditës së sotme. Lutem të kufizoni lëvizjet e panevojshme në terren për të evituar çdo emergjencë të mundshme.
Përroi i Çullos dhe ai i Sopotit janë momentalisht dy pikat më problematike, ku ne po punojmë prej disa orësh për të normalizuar gjendjen.
Me uljen e intensitetit të reshjeve do të ndërhyjmë gjithashtu edhe në rrugën e Zhulatit ndërsa për atë të Golemit kemi dërguar mjetet tona.
Do të bëjmë gjithçka duhet dhe kemi në dorë për të mbajtur nën kontroll këtë situatë.
Për çdo emergjencë ju lutem kontaktoni në numrin 128 ose në cdo formë tjetër të mundshme. Jemi në terren dhe në gatishmëri të plotë!”. /sarandacity.al/