Përkujtohet por nuk potencohet: të parët heronj të demokracisë në Shqipëri, janë padyshim ata katër të rinj nga Aliko që u shuan mbi telat mbi gjemba të kufirit teksa po tentonin Greqinë.
Ndodhi kjo paralel me zhvillimet në Tiranë, te Qyteti Studenti, ku anti-komunizmi sapo kishte marrë revan. Ndërsa ata, do e pësonin nga komunizmi në grahmat e fundit…
Ishin në lulëzim të pranverave të tyre. Të katër. Tre nga Aliko dhe një nga Jerma. Thimjo Masho, Thanas Koçi, Ajdhoni Rafti, Vangjel Mitro. Të katër si burbuqe të çelura që kërkonin dritën e diellit. Ata kërkonin dritën e lirisë dhe demokracisë. Si Prometeun që e mbante me zinxhira i tmerrshmi Zeus, kështu i mbante të lidhur ata regjimi diktatorial, me tela me gjemba.
U nisën atë natë dhjetori pa aguar e 11-ta ditë e tij. Kur qielli nxinte. Kur era ulërinte. Kur hëna dhe yjet ishin fshehur nga frika. Ata ecnin njeri pas tjetrit në një monopat që të çonte të liria. Ata duhet të prisnin telat me gjemba qe kish venë Zeusi i diktaturës. Prapa duhet të vinin të tjerët. Atje te telat i përgjonte vdekja. Me plumba. Ishin xhelatët e Zeusit. Ata hodhën gjokset mbi tela si Selam Musai me shokë. Dhe ngelën si pishtarë mbi tela…
Mandati i zi ditën e 11 dhjetorit arriti në sheshin e fshatit. Pak nga pak po mbushej. Nga sytë rridhnin lotët dhe gjokset ngulçonin nga revolta e zemërimi i papërmbajtur. Një ditë zie me peshën e madhe të dhimbjes që s’e mbante dot sheshi. Mallkimet dhe dhimbja ishin bërë bashkë dhe shndërroheshin si një përrua i papërmbajtshëm. Spontanisht turma nisi të lëviz. Pa komandant e organizator.
Në fshatin Çiflik i kishin çuar bijtë e tyre të vrarë.
Ata u nisën më këmbë, megjithse ishte 10 orë me këmbë larg. Me vajtimin e nënave dhe zemrat që çaheshin nga dhembja dhe zemërimi. Kur e panë që njerezit po drejtoheshin drejt kufirit me zemërimin e papërmbajtur, kufitarët i nisen të katër trupat me një kamion të mbështjellë me batanie ushtarake. Në Bogaz, kur shoferi i kamionit pa turmën, e la makinën dhe iku nga frika se mos dufi i zemerimit do të shfryhej mbi të. Me trupat e pajetë, me pikëllimin dhe zemërimin u kthyen në fshat. Ishte nata me tragjike për Alikon që ishte në zi. Ditën tjetër vetvetiu, u mblodhen të gjithë në shesh me arkivolet e bijve të tyre.
Lajmi i kobshëm ishte përhapur kudo, në gjithë Vurgun, në fshatrat e Rrezës. Qindra njerez nga fshatra përreth erdhën. Sheshi gati numëronte rreth 2000. Kaq njerëz s’ishin mbledhur asnjëherë. Të rinjtë nuk u përmbajten.Vunë arkivolet mbi supe dhe u nisën, jo drejt varrezave por drejt Sarandës, që të protestojmë para zyrave të pushtetarëve dhe partisë.
Turma u elektrizua dhe ushtuan fuqishëm “Poshtë diktatura”, “Liri demokraci”. Ajo nuk përmbahej më. U derdh drejt Sarandës ku në kurriz djemtë e rinj mbanin djemtë e vrarë. Gjatë rrugës, dhjetra njerëz i bashkoheshin me një solidaritet të pabesueshëm. Lumi i protestës i paparë ndonjëherë arriti në Gjashtë, ku forca ushtrie dhe policie edhe me tanke i dolën përpara. Protestesuesit ishin të papërmbajtshëm. Për 40 minuta vazhdoi një përleshje e ashpër me gurë, drunj, cfurqe, derisa policia përdori edhe plumbat.
Një protestues u plagos….pas kësaj protestuesit u kthyen mbrapa dhe i varrosën me nderime bijtë e tyre. Kjo protestë e fuqishme ka qenë fishekzjarri i parë i sulmit të demokracisë…. Ishte protesta me e fuqishme e minoritetit grek.
Çdo 12 dhjetor, në sheshin para bustit të katër martirëve të demokracisë, njerëzit përulen me nderim të thellë përpara këtyre guximtarëve që tentuan të ngrenë dorën ndaj diktaturës.
Ata vigjilojnë aty, nën krahët e shqiponjës. Më 1994, Presidenti Berisha iu dha titullin ”Martirët e Demokracisë”.
Panajot Boli – /sarandacity.al/