Si çdo vit, qeverisa ka vendosur t’i vërë fre kakofonisë së fishekzjarreve për festa, ku më shumë se atmosferë festive, në Shqipëri, nga mënyra e përdorimit sjell ankth social.
Në fakt do ketë tregëtim të tyre, por vetëm në mënyrë të kontrolluar.
Ndaj, në një dalje për mediat, Drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit, Ylli Vasili, tha se “masat e shtuara konsistojnë në rritjen e kontrollit të territorit, për të verifikuar zbatimin e kritereve të prodhimit, magazinimit e përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve, në prag të festës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri”.
“Me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët, me rastin e festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri 2022, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka kërkuar të gjitha strukturave vendore të Policisë, marrjen e masave për zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore, për parandalimin e shkeljeve dhe ngjarjeve të ndryshme në prag të festave të fundvitit, si dhe zbatimin e disa detyrave shtesë, të cilat konsistojnë në:
– Shtimin e kontrolleve çdo ditë, për verifikimin e aktivitetit të subjekteve të licencuara dhe njësive që tregtojnë fishekzjarrë, nëse i tregtojnë ato sipas përcaktimeve “Artikuj të lejuar e të ndaluar”;
– Rritjen e cilësisë së kontrolleve, duke bashkëpunuar me institucionet e tjera përgjegjëse, kryesisht me Autoritetin e Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE), për magazinimin dhe tregtimin e lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve, në funksion të parandalimit të shkeljeve dhe ngjarjeve me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin, si dhe për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që shkelin rregullat e magazinimit dhe tregtimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve;
– Në koordinimin e veprimeve ndërmjet ndihmës specialistëve të Policimit në Komunitet/SPZ, Patrullave të Përgjithshme, Policisë Kriminale, me pushtetin lokal dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen në kohë të çdo paligjshmërie që shfaqet në territor dhe që cenon rendin e sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve.
Strukturat vendore të Policisë, në bashkëpunim me shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin (MZSH), do të hartojnë plane të përbashkëta inspektimi dhe kontrolli të befasishëm në të gjitha subjektet e licencuara për magazinimin, tregtimin dhe përdorimin e lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve.
Policia e Shtetit apelon për të gjitha subjektet tregtare që të mos tentojnë të fusin dhe të tregtojnë lëndë piroteknike e fishekzjarrë në mënyrë të kundërligjshme, pasi do të përballen me ligjin.
Njëkohësisht kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e prindërve që të mos i lejojnë fëmijët të blejnë dhe të përdorin fishekzjarrë, pasi rrezikojnë jetën e shëndetin e tyre dhe shkaktojnë prishje të qetësisë publike”. /sarandacity.al/