Markat gjermane mbeten më të preferuara për shqiptarët për autoveturat që ata përdorin.
Sipas INSTAT, nga rreth 540 mijë autovetura që kishte në vend deri në fund të vitit 2000, rreth 98 mijë, ose 18.2% ishin Mercedes Benz, duke u renditur të parat.
Në vend të dytë është Volkswagen, me 91.7 mijë mjete, ose 17% e totalit.
E treta është “Daimler Chrysler” (12,1%).
Ndërsa mbizotërojnë në rrugë, autoveturat Benz janë më të vjetrat. Sipas INSTAT, deri në dhjetor 2020, marka “Mercedez Benz” regjistrohet si marka më e përdorur e autoveturave të regjistruara me vit prodhimi para 2000 dhe viteve 2011-2020. Marka “Volkswagen” regjistrohet si marka më e përhapur e autoveturave me vit prodhimi 2000-2010.
Në përgjithësi, makinat që qarkullojnë në vend janë të vjetra, ose shumë të vjetra. Sipas INSTAT, 26% e autoveturave që qarkullojë në vend janë të prodhuara përpara vitit 2000, ose më shumë se 20 vjet të vjetra. Pjesa më e madhe, apo 65% janë prodhim midis viteve 2000-2010, apo më shumë se 10 vjet të vjetra. Vetëm 9% e autoveturave janë më pak se 10 vjeçare.
Sipas INSTAT, në vitin 2020, numri gjithsej i mjeteve rrugore me status “aktiv” dhe “të çregjistruar përkohësisht” rezulton 676.811 mjete, nga 628.937 mjete të regjistruara deri në vitin 2019, duke u rritur me 7,6%.
Nga mjetet rrugore sipas llojit, përqindjen më të madhe ndaj numrit gjithsej të mjeteve rrugore e zënë “Autoveturat” (79,7%), “Automjetet për transport të përzier” (6,9%) dhe “Motor” (5,0 %),
Numri i autoveturave deri në vitin 2020, është rritur me 7,9% në krahasim me vitin 2019, ndjekur nga Automjetet për transport të përzier rritur me 4,8% në krahasim me vitin 2019.
Numri më i lartë i mjeteve rrugore është regjistruar në Qarkun e Tiranës për vitin 2020, duke zënë 36,8% ndaj mjeteve rrugore gjithsej të regjistruara në vend.
Qarku me numrin më të vogël të mjeteve rrugore është Kukësi me 2,1% ndaj mjeteve rrugore gjithsej.
Autoveturat me kambio “Manuale” zënë pjesën më të madhe (64,9%) të autoveturave gjithsej që rezultojnë me status “aktiv” ose “të çrregjistruara përkohësisht” deri në vitin 2020.
Numri i autoveturave të regjistruara deri në dhjetor 2020 me vit prodhimi para vitit 2000 ka pësuar rënie me 1,4% ndërsa grupi i autoveturave me vit prodhimi 2011-2020 ka pësuar rritje me 27,3%.
75% e autoveturave janë me naftë
Numri më i madh i autoveturave që qarkullojnë në vendin tonë deri në vitin 2020, përdorin lëndë djegëse “naftë” duke zënë 73,5% nga 73,3% deri në vitin 2019, ndjekur nga autoveturat që përdorin lëndë djegëse “benzinë” me 18,2% ndaj numrit gjithsej të autoveturave nga 19,4% që ky grup zinte deri në vitin 2019. Numri i autoveturave që përdorin lëndë djegëse “naftë” në vitin 2020, është rritur me 8,3 % në krahasim me vitin 2019.
Numri i autoveturave që përdorin lëndë djegëse “benzinë” është rritur me 1,4% krahasuar me vitin 2019.
Numri i autoveturave të regjistruara në vitin 2020 sipas vëllimit motorik <=2.000 cc është rritur me 8,6% krahasuar me vitin 2019. /Monitor/