Kadastra Shqiptare përfundoi me sukses procesin e regjistrimit fillestar për bllokun e I dhe II të zonës kadastrale 2518 në Lukovë me 1234 pasuri, nga të cilat rreth 800 pasuri janë tokë bujqësore, ndërsa të tjerat banesë dhe objekte shërbimi dhe pune.
“Nga dita e sotme, të gjithë titullmbajtësit, të cilët e kanë paraqitur dokumentacionin e plotë, duhet të aplikojnë në portalin qeveritar e-Albania për tu pajisur me certifikatën e pasurisë”, bëri të ditur Kadastra.
Sipas Kadastrës, për herë të parë në historinë e vendit, në gjithë zonën e Lukovës lëshohen certifikatat e pronësisë.
Gjithashtu, Kadastra informoi se nga sot nis procesi i konsultimit publik për zonën e Palasës dhe të Himarës qytet.
Më konkretisht për bllokun I të zonës kadastrale 1952 në Himarë me 1923 pasuri, nga të cilat 1177 pasuri private tokë bujqësore, si dhe zonën kadastrale 2863 Palasë me 1159 pasuri në total nga të cilat 646 pasuri private tokë bujqësore.
“Gjatë një periudhe 45-ditore të gjithë qytetarët që kanë pasuri të paluajtshme në këto zona kadastrale mund të paraqiten për tu konsultuar me të dhënat e pasurisë, si dhe në rast se do të kenë pretendime mund të depozitojnë ankesë/kërkesë pranë ASHK, në zyrën e konsultimit publik, në email zyrtar apo më rrugë postare”, informon Kadastra.
Të gjithë qytetarët e interesuar do të kenë afat 45 ditor të konsultojnë hartat e detajuara të pronave të përgatitura nga Kadastra. Pas këtij afati edhe për këto zona do të fillojë shpërndarja e certifikimit të pasurive.
Regjistrimit fillestar në Jug të vendit i janë nënshtruar 7 zona kadastrale me rreth 15.000 pasuri gjithsej, përfshire fshatrat historikë të bregut, Dhërmi, Vuno, Himarë, Palasë, Gjilekë, Ilias dhe Lukovë.
Regjistrimi fillestar ka filluar dhe është braktisur 2 herë përgjatë viteve, ndërsa kjo është hera e tretë që ky proces ka filluar që prej një viti dhe kësaj radhe po përfundon me sukses. /atsh/