Natën e ndërrimit të viteve nuk do ketë orë policore. Kjo u tha nga Komiteti i Ekspertëve, që në një takim të radhës e komunukim me median, pos që pohoi praninë e rasteve të para të Omicronit në vend, tha se situate është gjithsesi në kontroll.
“Ora policore nuk ka lidhje me organizimin e aktiviteteve por me lejimin e lëvizshmërisë së njerëzve përgjatë gjithë asaj nate. Duke menduar që njerëzit do duan të jenë bashkë edhe me familjet e vogla.
Fëmijët mund të shkojnë të takojnë prindërit. Nuk ka lidhje me organizimin. Do të jenë të lejuara me të gjitha përcaktimet që janë bërë me kohë.
Ora policore nuk ka lidhje me këtë. Do vazhdojmë me të njëjtat masa”, tha Zv/ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, duke vijuar: “Ata që do festojnë në familje të mëdha të respektojnë masat dhe të shmangen grumbullime.
Ora policore do të vazhdojë të mbetet e njëjtë me përjashtim të natës së ndërrimit të viteve. Vaksinimi është e vetmja mënyrë që mund të përmbyllë pandeminë”.
Dhe sa i përket variantit të ri në qarkullim, ajo tha: “Siç në dijeni prej disa javësh në botë po qarkullon Omicron. Komiteti bën me dije se është konfirmuar dyshimi i specialistëve për praninë e Omicron edhe në Shqipëri me përgjigjen e ardhur nga laboratori në Gjermani”.
Nga ana tjetër, për të përshkruar se sitauata është gjithsesi kritike, doktoreshë Najada Çomo rrëfeu fjalët e fundit të një të riu, 30-vjeç që ndërroi jetë pak ditë më parë në Infektiv. “Sa keq më vjen që nuk u vaksinova” dhe besoj se fjala e Klevisit vlen për shumë të rinj”, tha ajo, duke i mëshuar dhe njëherë fort vaksinimit. /sarandacity.al/