Në parkun natyror “Zagori”në Gjirokastër u vendosën tabelat informuese me qëllim njohjen e vizitorëve me vlerat natyrore, kulturore dhe historike të këtij parku.
Tableat u vendosën në kuadër të projektit “Parku Natyror i Zagorisë, shtegëtim turistik me shumë vlera” realizuar nga Shoqata Mjedisore “Çajupi” në bashkëpunimin e AdZM Gjirokastër dhe me mbështetjen e kompanisë “Shell Upstream Albania B.V..
Në këtë kuadër ditët në vazhdim do të plotësohet i gjithë parku me sinjalistikën orientuese për të mbërritur në këto vlera.
Parku natyror “Zagori”në Gjirokastër shtrihet mes vargmaleve Shëndëlli, Lunxhëri, Bureto, Trebeshinë, Dhëmbël e Nemërçkë, më të mëdhenjtë dhe më të lartët në Jugun e vendit.
Zagoria ngjan brenda kësaj kurore malesh si një “perlë e rrallë natyrore”. Një hijeshi marramendëse që nga malet e lartë, shkëmbinjtë e ashpër e të thepisur, oaze të gjelbra me pemë, lule e bar, vlerat e bio-diversitetit, vlerat kulturore dhe shpirtërore që ka kjo zonë shtojnë pasionin për të tërhequr në gjirin e saj shumë vizitorë e turistë të huaj. /atsh/