Vazhdon seria e tenderave të Autoritetit Rrugor Shqiptar ku ofertat më të leverdishme skualifikohen, shkruan BalkanWeb pas investigimit të një rasti.
Në tenderin prej rreth 14 milionë dollarësh amerikanë për Përfundimin e Punimeve në segmentet rrugore Ura e Kranesë-Qafë Botë, Ura e Kranesë-Ura e Gajdarit dhe përmirësimi i segmentit rrugor Shijan-Ura e Gajdarit, ARRSH i drejtuar nga Evis Berberi ka shpallur fituese ofertën gati 4 milion dollarë më shumë se sa oferta më e mirë.
Madje për të shkuar tek oferta e përzgjedhur janë skualifikuar plot 4 oferta të tjera. Kriter kryesor i tenderit është çmimi i ofruar që ka pikat kryesore, për të vazhduar me cilësinë e punimeve dhe kohëzgjatjen e tyre. Fitues në tender ka dalë bashkimi i kompanive “AGBES CONSTRUKSION”, “MELA”, “ALB SHPRESA”, që realizimin e punimeve e ka marrë përsipër për 13,5 milion dollarë. Ndërkohë sipas dokumenteve e zyrtare janë katër oferta financiare shumë më të lira dhënë nga operatorë me eksperience në ndërtimin e rrugëve.
Oferta më e mirë dhënë nga “TREMA ENGINEERING 2” & “ELMAZAJ KONSTRUKSION” është rreth 9,6 milionë dollarë, gati 4 milionë dollarë me pak se sa oferta e shpallur fituese. Në të linjë kanë qenë dhe ofertat e tjera, të cilat ishin minimalisht 3,5 milion dollarë më të leverdishme, por autoriteti rrugor shqiptar i ka skualifikuar me justifikime nga më të ndryshmet. Kështu oferta më e mirë nuk është shpallur fituese sepse bashkimi i kompanive ka vetdeklaruar 121 punonjës, nga 142 që duhet të paraqiste.
Ajo që nuk kuptohet është nëse ka pasur apo jo negociata për të plotësuar këtë numër me 21 punëtorë më shumë, me qëllim kursimin e 4 milionë dollarëve, para të taksapaguesve shqiptare, por fakti është se institucioni i drejtuar nga Evis Berberi ka preferuar që me një të rënë të lapsit të shpërdorje një shumë mjaft të lartë me të cilën fare mirë mund të ndërtohej një shkollë e re ultra modern, pwrfundon shkrimi i BalkanWeb.