Në një raportim në Radio Tirana, kolegu Thoma Nika veçoi 6 aspekte pikante se si e gjen Sarandë ndërrimi i viteve:
- Vendin e shirave me shtrëngata, e ka zënë dielli. Ky ndryshim i shumëpritur ka nisur ditën e djeshme.
- E tillë ka zbardhur edhe dita e sotme, që është e fundit për vitin 2021. Këto kushte të reja, në ditët e fundit të atij që kemi nisur ta quajmë Viti i Vjetër, dhanë mundësi më të mira për të bërë pa u shqetësuar nga shiu dhe i ftohti, blerjet për tryezën e mbrëmjes së sotme dhe të ditëve të para të vitit 2022.
- Po kështu, koha e pastër dhe e kthjellët që pritet të mbajë, jep shanse që Saranda, pas pritjes së takimit të akrepave në tryeza familjare, t’i kthehet traditës së festimeve në komunitet. Që do të thotë që grupe njerëzish nga të gjitha moshat dhe grupe artistike e polifonike, t’ia japin urimin e parë njeri-tjetrit në sheshin e qytetit, pranë Pemës dekorative apo në hapësirën e shetitores, zbukuruar nga tuneli me drita dhe nga Shtëpiza e Bsbagjyshit, nga transmetohet muzikë çdo mbrëmje.
- Meterologët na japin shpresë se me mot të kthjellët dhe me rreze diellore, do të nisë Saranda vitin e ri. E kjo merret jo vetëm si një nisje e mbarë e vitit. Nga biznesi shpresohet që ditët e pushimeve të zgjatura të nxisin për ardhje vizitorësh dhe frekuentues të Sarandës apo Ksamilit, të paktën nga qytetet më të afërta, por pse jo edhe nga kryeqyteti, pasi bëhet me dije se shumica e strukturave akomoduese do të ofrojnë shërbim pa pushim.
- Duke u ndalur për të treguar se si do të festohet sonte në Sarandë, do të thosha se ndryshe nga çfarë pritej, janë një numër mjaft i kufizuar lokalesh që mundën të realizojnë ofertën e tyre për organizimin e natës së vitit të ri. Ndryshimi i beftë i situatës virusale dhe rritja e numrave të të prekurve në ditët e fundit, me sa duket, i ka bërë organizatorët edhe klientelën, të tërhiqen nga ideja fillestare. Saranda në ditët e fundit është ngjitur dhe është futur në radhën e qyteteve me tregues të lartë rastesh pozitive, me 28 të tilla pardje dhe 23 ditën e djeshme. Mendohet se kja ka ardhur nga lehtësia e përhapjes së variantit Omicron të virusit, por edhe nga vajtje ardhjet e shtuara me Greqinë, e cila këto ditë po përjeton një tërmet rastesh me Covid ku dominon Omicron. Vetëm 24 orët e fundit në shtetin fqinjë u rregjistrua rekordi i 35 mijë rasteve, 7-8 mijë që ishte shifra ditore e një jave më parë.
- Kjo na ka bërë më të përgjegjshëm dhe më të kujdesshëm edhe ne. Gjë që shprehet në respektimin më rigoroz të masave mbrojtëse, sidomos në mbajtjen e maskës në mjedise të brendshme në institucione dhe lokale. Në kontekstin e ditës së sotme, kjo do të thotë që edhe sivjet zotëruese do të jetë festimi në familje. Madje mësohet se në shumicë do të jetë i mënjanuar edhe festimi në bashkim familjesh, si një mënyrë për t’u mbrojtur nga përhapja e virusit covid. Dhe kur di të ruhesh nga e keqja dhe t’i mbyllësh rrugën asaj, edhe urimet nuk mbeten dëshirë, por ngjisin e realizohen. Prandaj edhe ky do të jetë një ndërrim vitesh, kur shëndeti i parë do të ngrihet për shëndetin.
Unë dëshiroj të uroj ju dhe gjithë dëgjuesit e Radio Tirana Gëzuar 2022. Me shëndet, me mbarësi e çdo të mirë! Gëzuar! /sarandacity.al/