Metador Network (një uebsajt kushtuar turizmit dhe aventurierëve) ka renditur 22 vendet më të mira për të udhëtuar gjatë këtij viti, ku Shqipëria renditet në vendin e 10-të
Aty, në përshkrimin që i bëhet vendit tonë, veçohet dhe Lëkurësi si një kala që duhet vizituar me patjetër, si dhe Butrinti.
“Në fillim ishte Kroacia. Më pas ishte Mali i Zi. Është e natyrshme që Shqipëria të bëhet pika tjetër e nxehtë e turizmit në Europën Juglindore që i bën udhëtarët të dynden drejt Gadishullit të Ballkanit.
Shqipëria shtrihet përgjatë detit Adriatik dhe Jon, duke ndarë të njëjtën vijë bregdetare me vendet magjepsëse të Dubrovnikut ku është xhiruar filmi ‘Game of Thrones’, qytet ky i cili ndodhet disa orë në veri të saj, si dhe kufizohet me kufirin perëndimor të Greqisë në jug, nga ku udhëtimet e shpejta me varkë për në Korfuz zgjasin vetëm 30 minuta. Në brendësi, Shqipëria është shtëpia e Alpeve të veta, ku parqet kombëtare të Thethit dhe të Valbonës fshehin nën majat e thepisura liqene dhe lumenj në ngjyrë blu të ndezur, ndërsa peizazhi plotësohet me kilometra të tëra tokë bujqësore të familjeve të zonës.
Familjet aristokrate të periudhës veneciane zbukuruan gjithashtu fshatrat dhe bregdetin e Shqipërisë me shumë kështjella. Ndonëse disa prej tyre kanë pësuar dëmtime, shumica e këtyre fortesave janë ruajtur çuditërisht në gjendje shumë të mirë – veçanërisht Kruja, Rozafa dhe Lëkurësi. Qyteti port i Durrësit ka gjithashtu një kështjellë, megjithëse shumica e udhëtarëve vijnë këtu për të parë amfiteatrin e madh të periudhës romake. Edhe më mbresëlënës është qyteti antik i Butrintit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i cili ndodhet në parkun kombëtar me të njëjtin emër, teatri helenist i të cilit ende ofron shfaqje çdo verë gjatë festivalit të Butrintit”, shkruhet ndër të tjera nga Metador Network. /sarandacity.al/