Arkiva Shqiptare kujtoi maratonomakun shqiptaro-grek të shekullit të 19-të, Spiros Louis. Ai ishte fitues i Olimpikeve të para zhvilluar në Athinë, i cili pati si të veçantë shpalosjen e dy identiteteve.
“Në vitin 1873, lindi ‘maratonomaku’ Spiros Louis, arbëror i Greqisë, i cili u shpall fitues në Lojërat e para Olimpike të kohës moderne, që u mbajtën në Athinë në 1896-n.
Sikurse shumë bashkëkombas të tij, Louis triumfoi duke siguruar medaljen e artë në disiplinën e Maratonës, teksa garonte jo nën flamurin e vendit të tij të origjinës, por të atij grek.
Trajektorja e përshkuar në Maratonë përllogaritet të ketë qenë 42 kilometra e 125 metra dhe me një kohëzgjatje prej 2 orësh, 58 minutash e 50 sekondash. Gjatë ceremonisë së marrjes së medaljes, Louis u paraqit i veshur me fustanellën tradicionale të Toskërisë, variacion i së cilës ishte edhe veshja e arbërorëve të Atikës, në përputhje me prejardhjen e tij”, e përshkruan kështu Arkiva Shqiptare këtë figurë të së kaluarës me karakter ambig, pra mes dy identiteteve. /sarandacity.al/