Një burrë nga Shtetet e Bashkuara me sëmundje zemre në fazat e fundit, David Bennett, iu implantua një zemër derri e modifikuar gjenetikisht në operacionin e parë të këtij lloji dhe tre ditë më vonë pacienti është mirë, raportuan mjekët e tij të hënën.
Operacioni, i kryer nga një ekip në Universitetin e Maryland Medicine, ishte ndër të parët që demonstroi mundësinë e transplantimit të një zemre nga një derr tek një njeri, një fushë e mundësuar nga mjetet e reja të redaktimit të gjeneve.
Megjithatë, një grua nuk ishte aq e lumtur me këtë lajm.
Lesley Schumacher Downey ishte në shtëpi duke u kujdesur për nipërit e saj kur mori një mesazh në telefonin e saj celular.
Ishte vajza e saj që i dërgoi një artikull për një burrë 57-vjeçar me sëmundje terminale të zemrës, i cili kishte marrë zemrën e një derri të modifikuar gjenetikisht tre ditë më parë në një qendër mjekësore.
“Çfarë përparimi i madh për shkencën…”, mendoi Downey duke lexuar titullin, raportuan mediat.
Megjithatë, telefoni i saj ra menjëherë më pas.
“Mami… a e sheh kush është?”, tha vajza e saj, duke i thënë që t’i kushtonte vëmendje emrit të burrit.
Ajo ngriu. Burri, i quajtur “pionieri i mjekësisë” David Bennett, ishte i njëjti njeri që u dënua në vitin 1988 për goditjen me thikë të vëllait të saj më të vogël Edward Schumacher shtatë herë.
Ky i fundit më pas u paralizua dhe i kaloi 19 vitet e ardhshme në një karrige me rrota para se të pësonte një goditje në 2005 dhe të vdiste dy vjet më vonë, një javë para ditëlindjes së tij të 41-të.
“Edi vuajti. Ne kemi kaluar trauma prej vitesh, e gjithë familja është dashur të përballet me të,” tha Downey, duke shtuar:
“Tani ai ka një shans të dytë me një zemër të re, por unë do të doja, të paktën për mendimin tim, që shansi i dytë t’i takonte dikujt që e meriton,” pohoi ajo. /sarandacity.al/