Ambasadorja greke në Shqipëri u njoh me realitetin e bashkëjetesës ndërentike në Sarandë gjatë një vizite të saj në Bashki, ku shoqërohej, siç informon kjo e fundit, nga Konsulli i Përgjithshëm i Konsullatës së Greqisë në Gjirokastër, Dimitrios Sacharidis dhe zyrtarë të tjerë
Në takimin me kryebashkiakun Gurma, Sophia Philippidu mësoi prej të parit të qeverisjes lokale mbi dimensioned e harmonisë së popullsisë shqiptare dhe asaj minoritare.
“Ai(Gurma) tha se në Sarandë kemi klasa të mësimeve në gjuhën greke në shkollën ‘Adem Sheme’, përveç shkollave si ajo e Çukës në Bashkinë e Sarandës. Sipas tij, në shkollën e mesme Profesionale të Mesopotamit, pavarësisht që nuk është në territorin e Bashkisë sonë, janë të shumtë të rinjtë e të rejat, që zgjedhin të shkojnë nga qyteti i Sarandës, për të marrë profesion në atë shkollë. Po ashtu, u vlerësua fakti që në stafin drejtues të Bashkisë së Sarandës, përveç mjaft punonjësve me përkatësi nga minoriteti etnik grek, njeri prej tre Nënkryetarëve, është i kësaj përkatësie etnike”, shkruan Bashkia, referuar z. Romeo Çakuli.
Bashkia citon kryebashkiakun Gurma që i tha mikes greke se “Fqinjësia e mirë me qytetet greke ka ndihmuar për shkëmbim ekperiencash në turizëm dhe në evente të përbashkëta, siç ishte pjesëmarrja e futbollistëve veteranë nga Korfuzi në Sarandë, apo kolonia e piktorëve e manifestimi poetik, me pjesëmarrës edhe nga Greqia, por që pandemia i ka vënë në vështirësi këto marrëdhënie”.
Më tej citohet ambasadorja Philippidou që tha se “kjo është një zonë turistike, së cilës i shtohen mundësitë për zhvillim, duke bashkëpunuar me qytetet fqinje të shtetit grek, si Korfuzi, Igumenica, Janina etj”.
“Ajo ka ftuar që të përcaktohen shpejt fushat e bashkëpunimit konkret përpara nisjes së sezonit të ri turistik dhe me shpresën që pandemia do të jetë larguar. Me shumë dobi u vlerësua rikthimi te ideja e Akademisë së Turizmit, e hedhur përpara pandemisë, për të nxitur eventet lokale dhe produktet artizanale. Bashkëpunimi u tha se është e mundur të shtrihet edhe në fushën e sipërmarrjes turistike, me Unionin e Hotelierëve dhe Dhomat e Tregtisë në Korfuz e Janinë, për të potencuar të gjithë tipologjitë e turizmit, përveç detit”, shkruan ndër të tjera Bashkia për këtë vizitë.
Por jo vetëm kaq. Ambasadores greke i është kërkuar një rol i vendit të saj në dy drejtime.
“Kryetari Gurma ka zbuluar projektin pilot në Lagjen Kodër të Sarandës, si një fushë bashkëpunimi me kompani greke të specializuara. Po kështu, u kërkua të mundësohet që pikëkalimi kufitar i Qafëbotës, të paktën në 6 muaj të vitit të ofrojë shërbim 24 orësh, për të lehtësuar hyrje-daljen e turistëve dhe lëvizjen e njerëzve e të mallrave”, shkruan Bashkia. /sarandacity.al/