Pavarësisht se laget nga brigjet e dy deteve Adriatik dhe Jon, vendi ynë përfiton shumë pak nga turizmi detar.
Kryesisht shfrytëzimi i detit lidhet me aktivitetin e peshkimit ndërkohë që zgjerimi i aktiviteteve sportive dhe argëtuese që përfshin turizmi detar mbetet i ngadaltë. Qeveria pranon gjithsesi se ka nevojë së pari për plotësimin e kuadrit ligjor ekzistues me të tjera akte nënligjore ashtu sikurse ka nevojë për certifikimin e operatorëve që ushtrojnë këtë aktivitet për të ofruar standard dhe siguri në shërbim. Në dokumentin e politikave ekonomike të tre viteve në vijim nënvizohet se këtë vit fokusi do të jetë tek krijimi i kornizës ligjore të nevojshme.
“Në prill 2020, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin nr. 43/2020, datë 23.04.2020 “Për veprimtaritë e turizmit detar”. Ky ligj përcakton rregullat, kushtet dhe kriteret për aktivitetet në turizmin detar, anijet turistike dhe qëllimet e argëtimit, infrastrukturën e nevojshme për ushtrimin e tyre, si dhe përgjegjësitë institucionale në këtë fushë. Krahas akteve ligjore të hartuara dhe miratuara në vitin 2021 do të hartohet një kuadër tjetër ligjor plotësues që rrjedh nga ky ligj, si: VKM “Për vendosjen e kritereve dhe mënyrën e funksionimit të stacioneve të ankorimit sezonal”. Gjithashtu është planifikuar hartimi i ligjit “Për menaxhimin e integruar të vijës bregdetare”. Hartimi i kuadrit ligjor do të vazhdojë edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2022. (MTM, MIE)”, thuhet në programin ekonomik.
Certifikimi i operatorëve të turizmit detar është një tjetër aspekt i rëndësishëm që sipas dokumentit do të jetë i vazhdueshëm vit pas viti.
“Ky do të jetë një proces i rregulluar mirë dhe shumë transparent që do të krijojë kushtet për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit, përmirësimin e cilësisë dhe krijimin e standardeve të larta të sigurisë. Operatorët duhet të demonstrojnë pajtueshmërinë e kapaciteteve dhe pajisjeve të tyre me dispozitat e legjislacionit, si dhe arsimin e duhur profesional. Ky do të jetë një proces i vazhdueshëm që do të pasqyrojë dhe adresojë nevojat e tregut për shërbimet detare. (MTE, MI, MIE)”, nënvizohet nga qeveria.
Zhvillimi i turizmit detar pritet që të japë një efekt zinxhir edhe në industri të tjera të lidhura me të. kështu si të tilla konsiderohen furnizuesit e karburanteve, importuesit e pjesëve të këmbimit, kurset profesionale për një sërë pozicionesh pune. Vetë turizmi në përgjithësi ka një efekt zinxhir më të gjerë tek industri të tilla si kantinat e verës, bujqësia.
Rregullimi i kuadrit ligjor sa i takon sektorit të turizmit parashikon që përtej zhvillimit apo nxitjes së tij të përfshijë edhe rregullat për ndikim sa më të ulët në mjedisit si dhe uljen e ndotjes nga aktivitetet. /Monitor/