Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Federatës shqiptare të vrojtuesve të plazhit dhe shpëtimit në ujë.
Kumbaro u shpreh se, “gjithkush që merr në menaxhim një stacion plazhi ka detyrimin të sigurojë edhe vrojtuesin e plazhit po ashtu, së bashku me infrastrukturën përkatëse.
Kumbaro theksoi se, “kjo punë nuk është me dëshirë, por detyrim ligjor që vjen nga VKM nr. 171 e miratuar në vitin 2019”.
“Ishte ky shqetësimi që më takoi me përfaqësuesit e Federatës shqiptare të vrojtuesve të plazhit dhe shpëtimit në ujë, një bashkim i 12 shoqatave që deri tani kanë certifikuar 1010 vrojtues plazhesh”, tha Kumbaro.
Ministrja u shpreh se, “të gjitha subjektet përveç pastërtisë dhe cilësisë së shërbimit, u duhet së pari të sigurojnë jetën e pushuesve të tyre”.
Prandaj, shtoi Kumbaro, “qoftë ata të cilët do të aplikojnë për herë të parë nga 27 janari për menaxhim të parcelave gjatë sezonit të turizmit detar, edhe bizneset që i kanë tashmë kontratat, të marrin masat për ta plotësuar këtë detyrim”. /atsh/