Kryeministri Edi Rama pohoi në një takim me fermerë se një kohë tjetër po vjen për bujqësinë.
Takimi i dedikohej fondit të garancisë sovrane në dispozicion të fermerëve për të financuar kolateralin e kredive të bujqësisë, pjesë e paketës mbështetëse prej 4 miliardë lekësh.
Rama u shpreh se me këtë ndërhyrje tjetër të qeverisë shqiptare për të garantuar kreditë e fermerëve, apo sipërmarrjes bujqësore, insistohet në mesazhin se “është koha që çdo ditë ata që janë të angazhuar në prodhimin bujqësor të mendojnë me sytë nga e ardhmja dhe jo me mendjen tek e shkuara”.
“Është koha që të gjithë të vetëdijesohen se koha e bujqësisë së lëmoshës, e bujqësisë së mbijetesës, e bujqësisë së subvencioneve pa kriter dhe pa karar ka perënduar. Ashtu sikundër ka perënduar dhe koha e bujqësisë vetmitare, e atyre që mbeten thjesht dhe vetëm në kufijtë e ngastrës së tyre. Pasi është realisht e pamundur sado që të bëjë qeveria, shteti për ta, që të garantohet një e ardhme më e mirë, apo që e tashmja të ketë një pamje tjetër nga pamja e një mbijetese torturuese”, arsyetoi i pari i qeverisë. /sarandacity.al/