Të operosh në industrinë detare në Shqipëri është një sfidë me vete. Smerald Bozaxhi, administrator i “Albania Yacht Charter” që ka në fokus qiradhënien e jahteve, shprehet se gjetja e ekuipazhit është e vështirë.
Ai shprehet se ka mungesë të trajnimeve për kapitenë, një pozicion që kërkohet gjithmonë e më shumë. Kërkesa është në rritje edhe për hostess, që edhe pse i mirëpaguar, nuk preferohet shumë nga femrat për shkak të paragjykimit.
Ju jeni në një segment të caktuar të turizmit duke ofruar qiradhënien e jahteve. Cili është stafi i nevojshëm që ju duhet për të menaxhuar këtë aktivitet në kuptimin e ekipit në jaht?
Ekuipazhi është një nga pikat kyçe në suksesin apo jo të një charteri, pavarësisht kohëzgjatjes apo madhësisë së barkës. Gjatë listimit të një jahti për t’u charteruar (dhënë me qira), një nga pikat kryesore që ne vlerësojmë është edhe cilësia e ekuipazhit. Në raste specifike merremi dhe me trajnimin e tij, duke u përqendruar në ndërsjelljen personale me klientin (guests), në komunikim si dhe aftësi.
Pjesa kryesore e ekuipazhit të jahtit përbëhet nga kapiteni dhe marinari, ose i njohur ndryshe si deckhand. Për imbarkime të vogla, deri në 18 metra ose siç njihen ndryshe minijahtet, ky ekuipazh është i mjaftueshëm duke marrë parasysh dhe hapësirën e kufizuar që kanë këto mjete, për të mos ndikuar te hapësira private e klientit (guests). Zakonisht stafi i këtyre imbarkimeve kërkon persona që të jenë multitasking, në kuptimin që mund të ndihmojnë në gatimin e ushqimeve, në shërbimin e pijeve, në pastrimin e ambientit etj.
Këto janë detyra që zakonisht ekuipazhi në këto lloj imbarkimesh i bën vullnetarisht për një mbarëvajtje sa më të mirë të charter. Në këto lloj imbarkimesh, klienti është i ndërgjegjshëm që këto shërbime do t’i bëjë edhe vetë. Duke marrë parasysh hapësirën e kufizuar, këto lloj imbarkimesh kërkojnë një ekuipazh shumë diskret, të edukuar dhe me aftësi shumë të mira komunikimi, duke qenë se zonën living e ndajnë së bashku me klientin (guests).
Zakonisht në gjuhën e përditshme, ne e quajmë, të jesh i padukshëm kur shërbimi i stafit nuk nevojitet (në mënyrë që klienti të gëzojë hapësirën personale dhe çlodhjen) dhe të jesh gjithmonë i dukshëm kur shërbimi i ekuipazhit nevojitet (në mënyrë që klienti të jetë gjithmonë i sigurt dhe i qetë për çdo nevojë që mund të këtë).
Për imbarkime më të mëdha, 20 metra e sipër të cilët kategorizohen si yacht ose superyachts, kërkohet një ekuipazh më i gjerë që, përveç kapitenit dhe deckhand (marinari) kërkon edhe hostess dhe staf kuzhine. Në këto lloj imbarkimesh, detyrat janë të ndara në mënyrë shumë specifike dhe secili pjesëtar i ekuipazhit e ka shumë të qartë detyrën që duhet të përmbushë.
Në këto lloj imbarkimesh kapiteni vepron si drejtues i stafit, si dhe administron të gjithë buxhetin e klientit (guests), i cili njihet ndryshe si APA, në lidhje me të gjitha blerjet e nevojshme për mbarëvajtjet e charter. Në të tilla, imbarkime stafi ka mundësinë e një hapësire personale të ndarë nga ajo e klientëve (guests).
A e keni të lehtë apo të vështirë për të siguruar stafin dhe cila është pjesa më e vështirë, gjetja e tij apo gjetja e një stafi të kualifikuar, që ofron shërbim me standard?
Aktualisht është shumë e vështirë të sigurosh staf, i cili i përmbush të gjithë kriteret për të shërbyer si crew, sidomos kur bëhet fjalë për charter. Kjo mungesë vjen si pasojë e moskonsiderimit të një profesioni të tillë si një mundësi shumë e mirë punësimi dhe me të ardhura të kënaqshme.
Për shkak të mungesës së informacionit rreth këtij profesioni, një nga pikat ku ne jemi fokusuar është edhe trajnimi i personave në këtë profesion, si dhe rritja e vëmendjes rreth këtij profesioni. Duke qenë se në flotën tonë operojmë edhe me jahte nga Greqia ose Mali i Zi, fatkeqësisht vërehet një dallim shumë i madh midis ekuipazheve të huaja nga ato shqiptare.
Cilat janë profesionet për të cilat tregu, të paktën në këtë pjesë që operoni ju ka nevojë që të trajnohet apo zgjerohet?
Një problem tjetër që vërehet në këtë treg punësimi është se ekuipazhet e jahteve shikohen dhe konceptohen kryesisht si punë mashkullore dhe është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, për të gjetur ekuipazh të seksit femër.
Standardi kërkon që hostess zakonisht të jenë vajza, madje edhe në imbarkime të vogla të cilat kanë 2 crew, deckhand është një vajzë e cila luan edhe rolin e hostess. Duke pasur një “çift” si crew ndihmon që edhe atmosfera në jaht të jetë më e balancuar midis ekuipazhit dhe klientëve (guests). Aktualisht nuk ka asnjë imbarkim shqiptar, i cili të ketë një vajzë si pjesë të ekuipazhit (përveç rasteve që ne si kompani e ofrojmë si shërbim ekstra kur kërkohet nga ana e klientit një hostess apo një chef).
Në lidhje me trajnimin, mendoj se duhet të fokusohemi në trajnimin e kapitenëve nga ana ndërpersonale, si dhe të kuptojnë që të jesh kapiten në një imbarkim charter nuk është e njëjta gjë si të drejtosh mjetin lundrues.
Kapitenët dhe marinarët shqiptarë janë ndër më të mirët në aspektin profesional (në kuptimin e drejtimit të mjetit, manovrat, parashikimin e rreziqeve të mundshme, kontrollin e funksionimit të mjetit) dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë, duke i krahasuar me kolegët e tyre në vendet fqinje, si dhe duke marrë parasysh infrastrukturën në Shqipëri. Por duke qenë se industria e yacht charter është në fillesat e veta, këta profesionistë nuk kanë pasur mundësinë e trajnimit për të dhënë këtë shërbim.
Cilat janë ato presione të reja që ju konstatoni se po zhvillohen si efekt i turizmit?
Në gjykimin tim, një profesion i ri i cili duhet të zhvillohet është Vacation Adviser (këshillues pushimesh). Ne në kompani kemi persona specifikë, të cilët e bëjnë këtë punë. Ata ndërtojnë itinerare, evente, aktivitete, lojëra ujore, sugjerojnë destinacione të ndryshme, duke bërë edhe një përmbledhje se si mund ta kalojnë kohën e lirë klientët.
Kjo kërkon një person, i cili ka aftësi shumë të mira komunikimi si dhe një intuitë se çfarë kërkon një klient (zakonisht një turist i huaj nuk e di as vetë se çfarë kërkon ose se çfarë mund të kërkojë) realisht nga pushimet e tij.
Duke qenë se Shqipëria është një destinacion i panjohur për turistët e huaj, fokusi ynë është që t’i ofrojmë një “Plan Pushimesh” përveç se t’i ofrojmë vetëm një jaht të cilin mund të charter-ojnë. Ky lloj profesioni, nëse zhvillohet ashtu si duhet, do të ndihmojë shumë në marketimin e Shqipërisë si një destinacion i ri.
Si e gjykoni ndikimin e profesioneve të tilla si blogger, influencer në turizëm, po guidat virtuale a mund të funksionojnë?
Jam “pro” profesioneve të tilla si bloger dhe influencer, sepse në kohët ku po jetojmë, mediat sociale janë bërë pjesë integrale e jetës Sonë. Telefoni është si një shtojcë e trupit të njeriut, dhe kur janë pa telefon shumica e njerëzve ndihen sikur u mungon diçka. Por nga përvoja ime me influencer, mendoj se duhet bërë ende shumë punë për ta kuptuar këtë si profesion.
Shumë të rrallë janë influencer në Shqipëri, të cilët janë të fokusuar në një shërbim, produkt, ose stil jetese specifike. Shumica reklamojnë produkte ose shërbime që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën (rasti më i mirë) ose bien edhe në kundërshtim produktet me njëri-tjetrin (rasti më i keq).
Gjithsesi në gjykimin tim, ky është një profesion, i cili nëse bëhet ashtu siç duhet, ka efektivitet shumë të lartë, sepse në ditët e sotme je vetëm një telefon larg çdo personi në çdo cep të botës. Çdo influencer, nëse nuk e jeton atë që poston ose reklamon, është i destinuar të dështojë, duke mos e kuptuar fuqinë e vërtetë që media sociale ka si mjet ndërveprimi. /monitor/