Në krizën e PD-së, po konsumohet dhe një sherr mes dajë e nip, sipas asaj çfarë deklaroi së fundi ish-kreu demokrat i Gjirokastrës, Dash Aliko, njëherësh ish-kreu i Komunës së Lazaratit në kohët e “lavdishme” të kanabisit.
Aliko po përplaset me paraardhësin e tij në krye të PD-së lokale, Roland Bejko, një ish-dhjetorist nga Lazarati po ashtu, pedagog, i rreshtuar krah Bashës dhe kritik i ashpër i Berishës. Ndaj, kjo e ka çuar në përplasjes me gjakun e tij, Dash Alikon, që së fundi tha në publik se e ka nip.
“Po, Roland Bejkon e kam nip. E kam rritur unë dhe byrazeri im se nëna e tij ka vdekur shpejt dhe ai ngeli jetim”, tha Aliko në një televizion, duke folur rreth asaj se si Bejko morri zyrat e PD-së në Gjirokastër, pasi u emërua nga Basha si kreu politik i Qarkut.
“Ishim rrugës për Lunxhëri kur na lajmëruan që kanë sulmuar selinë e PD-së. Ndihem i keqardhur që ky veprim është bërë nga ish-kryetari i PD-së në Gjirokastër, Roland Bejko”, tha Aliko.
Ndërsa Bejko nga ana e tij e ka cilësuar dajën Dashin si “të paturpshëm”.
“Po më thonë që ish-kryetari i PD-së Gjirokastër, me analfabetizmin e tij po më akuzon për shqyerjen forcërisht të derës së PD, etj. Ai turpin nuk e njeh ka kohë. Së pari, ai tipi është shkarkuar dhe nuk ka të drejtë legale mbi administrimin e asaj selie. Së dyti, nëse unë kam bërë një veprim të tillë, i ftoj të më denoncojnë në organet e drejtësisë. Ndryshe do t’i padis unë për shpifje”, ishte reagimi i Bejkos. /sarandacity.al/