Dy vjet pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, Evropa së shpejti mund të hyjë në një “qetësim të gjatë” për shkak të shkallës së lartë të vaksinimit, varianteve më të buta të virusit dhe fundit të dimrit, tha të enjten Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge tha se parashikohet “një armëpushim që mund të shndërrohej në paqe të qëndrueshme”.
“Ky kontekst na lë me mundësinë e një periudhe të gjatë qetësie,” u tha Kluge gazetarëve të enjten.
Imuniteti i fituar përmes vaksinimit dhe infeksioneve të mëparshme, i kombinuar me ndryshimin e stinëve, gjithashtu e vendos Evropën në një pozicion më të mirë për të penguar çdo rishfaqje të transmetimit, argumenton Kluge.
“Kjo nuk do të thotë se tani mund të themi se pandemia ka përfunduar plotësisht, por ne kemi një mundësi unike për të marrë kontrollin e transmetimit”, theksoi ai.
Ai paralajmëroi se ky skenar optimist do të realizohej nëse vendet do të vazhdonin me fushatat e vaksinimit dhe mbikëqyrjen intensive për të dalluar variante të reja të virusit.
Ai u kërkoi gjithashtu autoriteteve shëndetësore të mbrojnë grupet e rrezikuara dhe të promovojnë përgjegjësinë individuale duke respektuar rregullat e distancimit fizik dhe mbajtjes së maskave. /sarandacity.al/