Nga apartamente, vila, dyqane, garazhe, deri fshatra turistikë, toka arë apo pemishte, janë 312 prona në zotërim të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara të cilat parashikohen të jepen me qira për llogari të shtetit.
Scan ka zbardhur listën me prona të Agjencisë, të cilat, me ligjin e ri, mund të jepen me qira edhe pa statusin përfundimtar të konfiskimit.
Bie në sy se disa prej pronave gjenden në zona mjaft të kërkuara të bregdetit, ndërkohë që nuk mungojnë as ato në kryeqytet, madje edhe në disa prej zonave luksoze në qendër apo periferi të Tiranës. Nuk mungojnë as njësitë tregtare madje edhe biznese. Lista përmban vendndodhjen e pasurive si dhe statusin ligjor, e sekuestruar apo e konfiskuar.
Por ka qenë viti 2020 më i ngarkuari për sa i përket pasurive të krimit, për shkak të Operacionit Forca e Ligjit. Bëhet fjalë kryesisht për pasuri të përfituara nga aktivitetet kriminale. Mes tyre gjendet toka, ara, apartamente, biznese, deri edhe hotele me vlera të konsiderueshme monetare. /scan/