Një 62-vjeçar është vënë në pranga në një operacion të koduar si “LAST WINTER”.
Thuhet se ai do kultivonte kanabis në ambiente të mbyllura.
Por jo vetëm kaq; posedonte dhe armatim.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve dhe Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë policore se shtetasi M. S. dispononte armë zjarri dhe mjete të teknologjisë së lartë që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar ‘LAST ËINTER’, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi M. S., 62 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër.
https://youtu.be/92jxIMmkn0w
Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekustruar 2 armë zjarri pistoleta, 10 krehra, 157 fishekë dhe pajisje që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, si: 26 përforcues energjie elektrike, 2 filtra që shërbejnë për pastrimin e ajrit, 7 tuba që shërbejnë për ventilimin e ajrit, llamba dhe projektorë që shërbejnë për transferim nxehtësie, 4 ngrohëse me gaz dhe pajisje të tjera elektrike.
Gjithashtu, në banesën e këtij shtetasi u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Materialet në ngarkim të shtetasit M. S. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale ‘Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’, ‘Përdorimi i paligjshëm i teknologjisë së lartë’ dhe ‘Vjedhja e energjisë elektrike’“, thuhet në njoftimin zyrtar. /sarandacity.al/