Dy vëllezër janë proceduar nga Policia e Sarandës, pasi posedonin një skaf pa dokumenta.
Me mjetin lundrues ata thjesht do peshkonin, por që ligji nuk jua lejonte këtë, ndaj akuza ndaj tyre është ajo e “Peshkimit të ndaluar”, siç thuhet në njoftimin zyrtar.
“Policia Kufitare e Sarandës, gjatë patrullimit në det, në zonën e Ksamilit ka konstatuar dhe më pas bllokuar një mjet lundrues skaf, 4.5 metra, pa dokumentacion që drejtohej nga shtetasi E. SH., së bashku me vëllain e tij shtetasin S. SH.
Policia Kufitare ka bërë bllokimin e mjetit lundrues dhe ka shoqëruar në Komisariatin e Policisë Sarandë dy vëllezërit, për veprime të mëtejshme.
Në vijim të veprimeve të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë rezultoi se ky shtetas, së bashku me shtetasin S. Sh., kishin dalë për peshkim pa njoftim si dhe nuk dispononin dokumentacionin e nevojshëm për të ushtruar aktivitetin e peshkimit dhe nuk dispononin asnjë dokument për mjetin lundrues (skaf).
Në përfundim të veprimeve dy vëllezërit janë proceduar penalisht për veprën penale ‘Peshkimi i ndaluar’.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme”. /sarandacity.al/