Greqia do ta nisë sezonin e turizmit më herët se në vitet e kaluara, prej shenjave pozitive të një stine të fortë të Verës, sipas ministrit të Turizmit, Vassilis Kikilias. Greqia regjistroi vitin më të keq turistik në histori në vitin 2020, kur pandemia pengoi udhëtimet ndërkombëtare, me vetëm 7 milionë vizitorë dhe 4 miliardë euro të ardhura. Industria, që zë 20% të ekonomisë dhe ofron 1 në 5 vende pune, nisi të rimëkëmbet në vitin e kaluar, kur sezoni që zyrtarisht nisi në Maj, solli 10.5 miliardë euro në të ardhura, shumë më pak se niveli rekord i vitit 2019.
Ministri i Turizmit tha se operatorët e mëdhenj turistikë dhe linjat ajrore, duan ta zgjasin periudhën nga Marsi deri në Dhjetor. Nisja më herët nënkupton se hotelet që mbyllen gjatë muajve të Dimrit, mund të rihapen më herët dhe operatorët turistik të nisin të sjellin turistë. Fondacioni grek për hulumtime ekonomike (IOBE), projektoi në rishikimin tremujor të ekonomsië në muajin e kaluar, se turizmi do të ndihmojë ekonominë greke që të rritet me 4.5 – 5% këtë vit. Organizata pret që të ardhurat nga turizmi të arrijnë në 80-90% të rekordit të vitit 2019, ku mbi 33 milionë vizitorë sollën 18 miliardë euro të ardhura për vendin.