Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Durrësit, u largua nga Komisioni Hetimor për inceneratorët, Emirjana Sako, pasi pati përplasje të ashpra me anëtarët demokratë të komisionit hetimor për inceneratorët.
Ajo madje shpërtheu në një deklaratë politike kur iu tha atyre se do të merrnin përgjigjen e merituar në zgjedhjet e pjesshme vendore. “Unë nuk kam më punë këtë komision sepse keni dalë tërësisht nga objekti”, tha Sako. “Jeni komplet jashtë objektit të Komisionit Hetimor. Më 6 mars do të merrni përgjigje!”, theksoi ajo, duke shkaktuar reagimin e deputetëve demokratë.
“Me këtë deklaratë e treguat se paratë ju duhen për fushatën zgjedhore”, iu përgjigj deputetja Ina Zhupa.
Nga ana tjetër, Zhupa e akuzoi Sakon se ka nënshkruar një kontratë me inceneratorin e Tiranës pa tender, duke rritur kështu kostot për administrimin e mbetjeve në qytetin e Durrësit.
Sako tha se çdo marrëveshje është bërë në kushtet e emergjencës mjedisore dhe se Durrësi, si qytet turistik, ka më shumë detyrim për ta mbajtur të pastër.
Nga ana tjetër, kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku paralajmëroi një padi për znj. Sako për shkak të largimit të saj dhe refuzimit për t’iu përgjigjur pyetjeve. /sarandacity.al/