Pasardhësja e Denajt në krye të ekonomisë dhe financave, Delina Ibrahimaj, ofroi një analizë të të dhënave të ekonomisë shqiptare për vitin 2021 dhe janarin e 2022.
Në një konferencë për shtyp, ajo tha se të ardhurat, shpenzimet dhe punësimi janë në rritje krahasuar me vitin 2020, por u ndal te pjesa më delikate, të rritja e çmimeve, sidomos te nafta.
Sipas saj, pritet që çmimet të stabilizohen në gjysmën e dytë të vitit, duke përmendur këtu dhe çmimin e naftës që gjatë këtij muaji kapi shifra rekord, duke shkuar në 200 lekë për litër.
“Pritshmëritë janë që në gjysmën e dytë të këtij viti çmimet të stabilizohen.
Çmimi i naftës në vend është rritur nga mospërputhja në tregjet ndërkombëtare mes kërkesës së shtuar dhe ofertës së limituar.
Çmimi i gazit u rrit me ardhjen e dimrit, gjë që solli dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Në vijim, të gjithë parashikimet ndërkombëtare, parashikojnë uljen graduale të çmimit të naftës dhe gazit, duke filluar nga 6-mujori i dytë i këtij viti”, tha ministrja Ibrahimaj. /sarandacity.al/