Hyrja në fuqi e ligjit për Ndërmjetësit e Pasurive të Paluajtëshme duket se do të “trazojë” ujërat në tregun e agjentëve imobilarë. Shkak është bërë dispozita kalimtare e ligjit të sapopublikuar në fletoren zyrtare, i cili detyron cdo subjekti të përfshirë në këtë treg të regjistrohet brenda gjashtë muaj në Regjistrin e Ndërmjetësve.
Por ndërsa subjektet që e ushtrojnë këtë profesion prej më shumë se një viti do të konsiderohen ipso lege, apo automatikisht, të certifikuara për ushtrimin e veprimtarisë së ndërmjetësimit, ccdo person fizik apo juridik që nuk e plotëson këtë kusht do t’i nënshtrohet një trajnimi profesional dhe verifikimeve nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.
Të gjitha subjektet që kanë më pak se 12 muaj që ushtrojnë veprimtarinë e ndërmjetësimit të pasurive të paluajtshme, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet që brenda një viti të përfundojnë një program të detyrueshëm trajnimi. Ata duhet të vërtetojnë ushtrojnë rregullisht veprimtarinë tregtare në fushën e ndërmjetësimit për më pak se 12 muaj nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji, ndërkohë që do të jetë Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ajo që do të thotë fjalën e fundit për përfshirjen e tyre në Regjistër.
“Brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të gjitha subjektet, sipas pikave 1 e 2 të këtij neni, paraqesin kërkesë pranë ministrisë për regjistrimin e tyre në Regjistrin e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme, duke paraqitur të gjitha të dhënat e kërkuara për pasqyrimin e tyre në regjistrin përkatës, si dhe të gjithë informacionin e nevojshëm që vërteton ushtrimin e rregullt të veprimtarisë.
Në rast se subjekti nuk paraqet kërkesë brenda këtij afati, nuk lejohet të ndërmjetësojë kryerjen e veprimeve juridike për kalimin e pasurive të paluajtshme ose të të drejtave reale mbi to, pavarësisht formës ose mjetit që përdoret për ndërmjetësimin”, përcakton dispozita kalimtare. /scan/