Një sasi e madhe kanabisi është kapur në Qafë Botë, në tentativë për të kaluar në vendin fqinj, Greqi.
Është Policia ajo që njofton për sekuestrimin e 80 kilogramëve kanabis të fshehur në një automjet kamionçinë.
“Në zbatim të planit të masave për shtimin e kontrolleve, me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave për trafikim të lëndëve narkotike drejt Greqisë, shërbimet e Policisë Kufitare të Qafë Botës, bazuar në analizën e riskut dhe informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas mund të transportonte një sasi të madhe lënde narkotike drejt Greqisë, kanë kaluar për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, automjetin tip kamionçinë që drejtohej nga shtetasi A. A., 45 vjeç, banues në Fier.
Si rezultat i kontrollit të imtësishëm dhe të përbashkët të strukturave që operojnë në pikën e kalimit kufitar Qafë Botë, u bë e mundur që në brendësi të kamionçinës të gjendeshin të fshehura 74 pako me lëndë narkotike kanabis (me peshë 80 kilogramë), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin tip kamionçinë.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi A. A. është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Sarandë dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve është bërë arrestimi në flagrancë i tij, për veprën penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike’.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë, vijon puna hetimore për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal”, thuhet në komunikatën policore. /sarandacity.al/