Kryeministri Rama e ka parë veten sërish në sulm lidhur me rritjen e çmimit të naftës, shkuan në rekordin e 2300 lekëve për litër, duke u përpjekur sërish të arsyetohet se është i pafuqishëm ta frenojë këtë. Si argument ai sjell faktin e çmimit të energjisë, ku siç thotë, nga fakti se është mall i shtetit, mbahet nën kontroll. Por sipas tij kjo nuk mund të ndodhë më mallin e privatit.
Ai mbrohet dhe me faktin se rritja e çmimeve nuk është vetëm në Shqipëri por kudo, e se aty efekton së fundi dhe situata e luftës në Ukrainë.
Në një prej komunikimeve të zakonshme në FB, ai shkroi në përgjigje të një pyetjeje:
“Çfarë po ndodh me çmimin e naftës dhe miellit, si është e mundur qe nuk ka një kontroll për këto gjëra?
S’është e drejtë të rriten çmimet në çdo sekondë, duhet të keni një zgjidhje për këtë”, e pyet komentuesi.
Ia kthen i pari i punëve në Shqipëri:
“Po bëhet luftë, luftë prej vërteti, luftë me bomba e me viktima e me plagë te jashtëzakonshme, kjo po ndodh dhe po të ishte i mundur kontrolli i çmimeve nga qeveria, do e kishte ndonjë qeveri në Europë ku çmimet po rriten edhe më frikshëm se këtu, ndërkohë që këtu nuk po rritet ende energjia elektrike, pikërisht sepse shteti që e shet dhe e blen energjinë, ndryshe nga nafta e mielli e tërë të tjerat që shiten e blihen nga privatet, po e mban me dhëmbë kur i thonë llafit pikërisht që të lehtësojë sadopak familjarët!
Që s’është e drejtë kjo nuk diskutohet, po s’ka si të mos ndodhë në këto kushte alarmi në të gjitha tregjet dhe me sanksionet ndaj Rusisë që është eksportuesi më i madh në Europë i gazit, naftës dhe grurit, por ama nga ana tjetër s’ka se si të mos e marrim edhe ne bashkë me tërë të tjerët, një pjesë të barrës së luftës së ukrainasve kundër një agresioni ushtarak mbi shtetin e tyre sovran e demokratik, sepse historia na ka mësuar më shumë se një herë që kush mbyll sytë kur i vjen tjetrit lufta në shtëpinë e vet, shumë shpejt e ka luftën në shtëpinë e tij”.
Më herët, kryeopozitari Basha doli e tha që qeveria duhet të heqë atë që ai e quajti “taksa Rama”, por në fakt është “taksa Berisha”, e qeverisjes së tij kur Basha qe dhe anëtar kabineti, të cilën Rama thjesht nuk e ka lëvizur, pasi e ka konsideruar të drejtë.
“Siç e shikoni çmimi i naftës ka arritur në 230 lekë të reja për litër, 2 mijë e 300 lekë për litër.
I bëj një thirrje të përsëritur qeverisë të marrë masa duke hequr taksën e qarkullimit Rama mbi karburantin 240 lekë për litër dhe duke marrë masa të tjera shtesë për të stabilizuar në këto ditë të vështira çmimin e karburantit i cili ka një efekt të drejtpërdrejtë në mallrat dhe shërbimet bazë për të gjithë qytetarët”. /sarandacity.al/