A është vërtet e bukur Saranda, siç thotë deputetja Denaj në një status të saj të fundit me foto nga gjiri i qytetit? Hëm! Diçka tejet e diskutueshme.
Saranda nuk bën përjashtim nga qytetet e tjera shqiptare: përgjithësisht të pabukura (për të mos thënë të shëmtuara), me përjashtime tek-tuk zonash që kanë trashëgimi urbane nga e kaluara parakomuniste, apo prej investimeve të viteve të fundit në atë që është quajtur rilindje urbane. Prej tyre është dhe shëtitorja e re. Nga trashëgimia është Rruga 1, ajo e kalldrëmtë, me stilin italian të godinave, si dhe Rruga 2 me ca sosh përgjatë saj. Është dhe “lagjja amerikane” deri diku, prej shtëpive tip vilash. Pjesa tjetër është një degradim urban e estetik për të vënë kujën.
Kur themi “qytet i bukur”, nuk është vetë fati i saj natyror(pozicioni ku ndodhet, në rastin konkret buzë detit), ajo çfarë nuk ka qenë e nuk është në dorën e njeriut, por është veçantia e saj urbane, stili, shija, shkëlqimi, që sigurisht s’e ka.
S’e ka sepse as është menduar për këtë gjë. Mjafton mënyra e të ndërtuarit, ku Kodra, që ndryshe ka qenë tërheqëse e do ishte gjithsesi, edhe pse lagje e komunizmit, nuk do qe një katastrofë buzë detit. Ashtu dhe Turizëm-Çukë, si zonë e re.
Saranda s’është e bukur dhe nga fakti se është e zgjyrtë, apo thënë me fjalë të tjera, e palarë në aparencë. Në këtë aspekt, deputetja mund të angazhohet në gjetjen e një forme a mënyrë për ta larë pamjen gri të qytetit, prej fasadave të zgjyrta.
Ky duhet të jetë debati kryesor për Sarandën me cilësorin “turistike”: si mund të bëhet e bukur dhe jo se është e bukur! /sarandacity.al/