Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një hetim paraprak në tregun e tregtimit me shumicë të karburanteve, raporton Monitor.
Media e njohur ekonomike shkruan se “ky institucion shprehet se rritja e çmimit të naftës dhe të benzinës është reflektuar në të gjithë tregun e shitjes me pakicë dhe për pasojë duke rezultuar në çmime përgjithësisht më të larta për konsumatorin fundor”.
Tregtarët e mëdhenj e argumentojnë shtrenjtimin me rritjen e fortë të çmimit të karburanteve në tregjet botërore, ku në një deklaratë të Shoqatës së Hidrokarbureve thuhet se “çmimet nga pikat e shumicës dalin çdo ditë me bursën korrente dhe marrin rritje graduale, të koordinuar me rezervat që ka gjendje në pikat e karburantit me furnizimin e ri, por fatkeqësisht rritja e çmimeve në bursë javën e fundit ka qenë galopante”.
“Sqarojmë se rezervat tremujore që mbahen sipas ligjit janë gjithnjë në depo fizikisht, por çmimi kurrë nuk mund të mbyllet ose fiksohet vetëm në ditën që hidhet në treg për konsum,” thuhet në deklaratë, shkruan Monitor. /sarandacity.al/