U zhvillua dhe përfundoi pa incidente, apo pa bllokim rrugësh, protesta e radhës kundër rritjes së çmimeve, e cila përqendrohet para Kryeministrisë. Kjo vijon prej tre ditësh. Ditët e para u zhvillua në mbrëmje, ndërsa sot në orët e paradites.
Protesta të ngjashme janë zhvilluar e po zhvillohen dhe në qytetet të ndryshme të vendit. Shkak fillestar i tyre që rritja galopante e çmimit të naftës, që edhe pse për shkak të situatës globale në tregjet e naftës, diktuar nga lufta në Ukrainë, ajo po lexohet si “paudhësi” qeveritare.
Protesta po udhëhiqet nga individë të shoqërisë civile, disa prej të cilëve prej vitesh kanë krijuar profilin publik si “profesionistë protestash”, por që në drejtim të tyre janë shfaqur dhe aktorë të Portokallisë.
Për to, kryeministri Rama e pati sërish një reagim:
“Sa për atë protestë ndërkohë që tërë Europa, përfshirë edhe Shqipërinë, përballet me pasojat e para fare të një lufte, jo 4 ditë po 4 muaj apo 4 vjet të vazhdoje asgjë nuk do kisha bërë dhe s’kam pritur ata që shajnë e ulërijnë as për të mbrojtur familjen tende nga rritja e çmimit të energjisë dhe as për t’ju thënë të tërëve se brenda javës, domethënë sot do të kemi skenarët e përballimit të këtyre pasojave!
Sa për fuqinë e popullit, unë jam në këtë detyrë pikërisht falë asaj fuqie, e cila nuk ka lidhje me pakicën që shan, mallkon, abuzon, paturpësisht fare, duke akuzuar papushim për vjedhje pa pikën e turpit, tamam me logjiken e hajdutit që çdo gjë dhe çdo njeri e lidh me vjedhjen, ndërkohë që po të ishte për të vjedhur mbante të tjerë këtu në vendin tim fuqia e popullit!
Jo mor jo, do s’do kjo pakicë e çartur, nuk janë të tërë hajdutë dhe nuk janë të tërë sharlatanë, po ka edhe ndryshe, kështu që vazhdoni protestën tani se unë kam detyrë të mbroj popullin nga pasojat e luftës, jo ata që flasin përçart në emër të tij”, shkruan Rama. /sarandacity.al/