Lulzim Basha e dha më në fund dorëheqjen, që erdhi një çast që ia kërkuan, jo tradhëtisht por krejt parimisht, edhe ata që i qëndruan besnik në kupolën e PD-së, e madje besuan se ai ende s’e ka dhënë më të mirën e tij, e se, pas shkëputjes nga Berisha, do e jepte më në fund. Nuk dihet se mbi ç’të dhëna individuale të tij, mbi ç’karakteristika të veçanta, e mbështesnin bindjen apo shpresën e tyre.
Basha mbetet e vetmja prurje në politikë ku nuk duhej se pse i potencohej shkollimi në Hollandë, ndërkohë që politika shqiptare është më plot të tillë nga brezi i pasviteve 2000, që madje jo në Hollandë, por janë diplomuar në SHBA, deri dhe në Harvard. Megjithatë, Bashës iu potencua, sikur të qe i rrallë në këtë lloj aftësie apo fati. Ndërkohë, ky mit shkollimi, qe gjithnjë në raport të zhdrejtë me formimin e tij, një profan i vërtetë në politikë apo dhe aty ku ishte diplomuar. Te Basha, në më shumë se 15 karrierë, nuk u dëgjua kurrë një fjalëmbatje me fokus juridik, për të treguar se vërtet kishte një shkollim brilant. Brilant? Veç shkëlqimit të flokëve, nuk shfaqi kurrë diçka brilante në aftësitë e tij apo personalitetin e tij publik e politik. Ai ka hyrë si emër në historinë politike, por si fenomen do mbetet aty për paaftësinë e lindur për të bërë apo shkruar histori në një drejtim të caktuar. Për të gjithë ata që mund të lodhen me përsiatje mbi individualiteti politik të Bashës, e kishte apo nuk e kishte, nëse e kishte pse nuk e tregoi e kështu me radhë, është momenti për ta thënë: nuk e kishte dhe nuk e ka. Ishte thjesht një aksident në politikë dhe nuk ka më asgjë tej asaj se ç’është parë e dëgjuar prej tij në 15 vjet. Mjaft që në 15 vjet, ai nuk pati asnjë pikë shkëlqimi, asnjë lloj kulmi, asnjë lloj maje që preku, veç atyre të dhuruara nga ai që e solli, Berisha, duke qenë njëherësh dhe një lloj dështimi i disatë i vetë Berishës në politikë.
Për ta kuptuar më mirë fatin e Bashës, na vjen në ndihmë filmi “Apasionata”, ku personazhi kryesor, Arturi (Kastriot Çaushi), u fut me pahir në Akademinë e Arteve, te Piktura, të cilën, pas shumë përplasjeve më të atin, si dhe një konflikti të brendshëm, e la më në fund për të shkuar në tjetër degë, atje ku jo veç e pëlqente por dhe ia thoshte. Sepse njeriu, pos punës duhet ta ketë dhe talentin e lindur për diçka. Te Arturi s’qe cështje pune, atij thjesht i mungonte talenti. Kështu dhe me Bashën. 15 vjet janë mëse të mjaftueshme për të shfaqur një talent, nëse atë e ke të fjetur apo të pakultivuar dhe që e zgjon apo e shpërfaq nga mundi dhe rrethanat. Kjo nuk ndodhi me Bashën dhe as ka gjasë të ndodhë. Kështu që, kush e ka mik të afërt dhe ia do të mirën, e nëse Basha ia dëgjon fjalën, t’i thotë më mirë që ta lërë këtë muhabetin e politikës për fare, tashmë që hoqi dorë nga PD-ja. Jeta e bota është mjaftueshëm e madhe për të shkëlqyer diku tjetër, edhe duke bërë lek me shërbimet e tij, siç deri para se t’i hynte politikës.
E vulosi këtë të vërtetë edhe fjalimi i dorëheqjes, tërësisht i shpëlarë, pa pikën e atij emocioni, finese apo mbresëlënieje që përçon një akt me sublimitet politik. Si të gjithë fjalimet e tij, për të mos u mbajtur mend! /sarandacity.al/