Humoristi politikisht socialist Gazmend Paja, i biri i Luftar Pajës, një ndër ikonat aktoriale të Portokallisë, është bërë së fundi çështje debati publik e politik, nga fakti se rezulton një investitor strategjik në Breg, më saktë në Dhërmi.
Ka dalë në pah së fundi fakti që ai nuk qenka kufizuar thjesht në artin skenik, porse ka guxuar të synojë e realizojë ambicie të mëdha prej biznesmeni, madje në pjacat e larta të investimeve. Paja paska një kompani të quajtur “Ecotech Energy Services”, që së bashku me kompaninë “Startek” do të investojnë në Dhërmi 13.8 milionë euro në 133 mijë metra katrorë tokë për të ndërtuar “Dhërmi Restort” një kompleks luksoz që ka fokusin turizmin elitar.
Ai, në një reagim në rrjete s’e ka mohuar këtë fakt, por thjesht ka garantuar se nuk ka përfituar fare tokë shteti.
“Nuk kam përfituar asnje cm2 tokë nga shteti. Ne vijim te shpifjeve te turpshme dhe te motivuara politikisht qe qarkullojne ne media, deshiroj te sqaroj opinionin publik per sa vijon: kompanite ‘Startek’ dhe ‘Ecotech’ kane nenshkruar nje marrveshje me nje kompani te huaj, te specializuar ne fushen e turizmit per ndertimin e nje resorti turistik.
Per kete qellim, kemi vene ne dispozicion nje prone te cilen e kemi blere nga pronare te ligjshem si dhe asete financiare te garantuara nga bankat. Kemi aplikuar per investitor strategjik, si nje e drejte qe na jep ligji ne baze te vleres se investimit…”, shkruan ndër të tjera ai për të cilin dihej se është vetëm një aktor, sigurisht i talentuar.
Nga ana tjetër, Arbi Agalliu nga PD, kërkoi që ky rast të hetohej, sipas tij, “nëse me të vërtetë ky është një investitor që i plotëson kushtet të një investitori strategjik, apo që është ndryshe një qokë e bërë ndaj një individi që ka bërë fushatë për Partinë Socialiste apo më keq akoma nëse pas tij fshihen qeveritarë, deputetë apo individe të tjerë…”.
Siç dihet, Gazmend Paja ka patur angazhim të hapur me PS-në vitet e fundit, dhe, edhe sikur të jetë në rregull me ligjin në çdo aspekt, fakti që nga aktor, paralel me këtë karrierë bëhet dhe investitor strategjik, është diçka që lë shije kompromentuese. /sarandacity.al/