Policia ka arritur më në fund që të “fusë në dorë” një prej legjendave të krimit në Shqipërinë gjatë viteve të fundit. Bëhet fjalë për Nuredain Dumanin, njëriun që i atribuohen një zërë vrasjesh e që nuk arrihej të kapej dot.
Por natën e së martës, në Fier, gjatë një aksioni të fuqishëm policor, ai u kap i fshehur në një apartament, duke qenë dhe i plagosur. E gjitha ndodhi pas një atentati në Elbasan, ndaj një BMW-je, ku automjteti u bë shoshë nga plumbat. Përflitet se me ngjarjen kishte lidhje një tjetër legjendë krimi, ende i pakapur dot, Talo Çela, vëllain e të cilit, ndër shumë të tjerë, Dumani do e ekzekutonte kohë më parë në shenjë paralajmërimi dhe hakmarrjeje njëherësh.
Ndaj Dumanit më herët Prokuroria ka lëshuar dy urdhër-arreste dhe ka në duar prova të mjaftueshme për ta implikuar si ekzekutor në të paktën shtatë vrasje.
Nuredin Dumani ka qenë krahu i djathtë i të shumëkërkuarit tjetër Talo Çela, i cili edhe ky është shpallur në kërkim nga policia, pasi akuzohet për një sërë vrasjesh.
Dumani së bashku me Çelën në vitin 2020 ekzekutuan vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia tek parku i tregut të makinave në Durrësit, aty ku kishin edhe një biznes të tyre. Ishin Altin Ndoçi dhe Klevis Alla ata që dëshmuan para policisë se kush ishin autorët e vrasjes së dy vëllezërve në Durrës, duke nxjerrë zbuluar Talo Çelën dhe Nuredin Dumanin. Ndërkohë që më herët Dumani dhe Çela ekzekutuan Anxhelo Avdian dhe Dorjan Shkozën.
Ndërkohë, Çela është shpallur në kërkim për grabitjen e 4.6 milionë eurove në Rinas, pasi akuzohej se në servisin e tij, kishte ndihmuar autorët që të modifikonin furgonin me mbishkrimin ‘Hetimi Tatimor’, në mënyrë që askush të mos dyshonte tek ata.
Arrestimit të Dumanit, Policia e Shtetit i kushtoi dhe një konferencë për media.
“Gjej rastin të falënderoj të gjithë punonjësit e Policisë të angazhuar në këtë operacion të cilët prej disa muajëve kanë punuar me intensitet e përkushtim për lokalizimin dhe kapjen e personave shumë të kërkruar.
Falënderoj Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe SPAK-un, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e pakursyer e profesionale për strukturat hetimore të Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit mbetet e vendosur për goditjen e çdo aktiviteti kriminal, kapjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve të tyre dhe personave të kërkuar që i shmangen hetimit”, tha kryepolici Gledis Nano. /sarandacity.al/