Bashkimi rreth qasjes së Bashkisë së Sarandës dhe asaj të Finiqit, për të bërë turizëm bashkë, përtej kufijve territorialë, u shpalos sot si një alternativë e nevojshme dhe e dobishme, që destinacionet tona turistike të bëhen më tërheqëse për turistët e vitit 2022.
Rruga e përshkuar deri tani, pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit nga Kryetarët Adrian Gurma e Kristo Kiço, u prezantua në Konferencën e mbajtur në Qendrën Kulturore “Katina Papa” të Livadhjasë. Konferenca me fokus Turizmin e Integruar dhe slloganin “Bashkë, për Turizëm pa Kufij”, nisi me një reportazh filmik, realizuar si rrëfim e udhëtim në asetet turistike të njohura ose të fjetura në territoret e Bashkive Sarandë e Finiq, me mesazhin e vitalizimit të tyre.
Kryebashkiaku Kristo Kiço mirëseardhi të pranishmit në Konferencë, duke treguar për atë që e intrigoi nga ideja e Kryebashkiakut Gurma për t’i dhënë impuls turizmit duke i kthyer kufijtë administrativë jo në ndarës, por në përbashkues të destinacioneve. Nga ana e vet Kryebashkiaku Adrian Gurma tha se kishte kohë që mendonte për këtë qasje të re të të bërit turizëm pa kufij, nisur edhe nga studime ndërkombëtare që thonë se turisti i shekullit 21, nuk mjaftohet me detin dhe rërën, as me hotelin, sado komod. Interesat e tij janë për detin dhe malin, për trashëgiminë dhe kulinarinë, për festat lokale, kostumet dhe folklorin, profesionet në zhdukje dhe udhëtimet në shtigje. Mënyra më e mirë për ta bërë diverse ofertën dhe të plotë destinacionin- u shpreh Gurma-është turizmi i integruar.
Këtë qasje e ka vlerësuar të rëndësishme, të dobishme dhe të domosdoshme, zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Vilma Bello. Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj, edhe në cilësinë e Kryetarit të Komitetit të Turizmit, tha se nisma për turizëm të integruar rrit pritshmëritë që jugu shqiptar të bëhet edhe më i kërkuar e atraktiv këtë verë e në vijim.
Po kështu, deputeti Niko Kuri tha se ideja e turizmit të integruar jep shanse të mëdha për të rritur prurjen turistike në gjithë rajonin.
Kësaj nisme iu bashkuan edhe Kryetarët e Bashkive të Delvinës e Konispolit, përkatësisht Majlinda Qilimi e Shuaip Beqiri, të cilët, pas nënshkrimit të aneksit të Memorandumit të Bashkëpunimit, ndanë me të pranishmit në Konferencë, arësyet e kësaj përfshirjeje.
Opinion shumë pozitiv dhe mbështetës të nismës për turizëm të integruar, dha edhe Dhimitrios Sacharidis, Konsull i Përgjithshëm i Konsullatës së Greqisë në Gjirokastër. Arben Çipa, Kryetar i Shoqatës së Industrisë së Turizmit në Sarandë, tregoi për eksperiencat më të mira të operatorëve turistikë, që i kanë paraprirë kësaj nisme, duke bashkuar destinacione turistike.
Po kështu, Kristina Fidhi nga visitgjirokastra, nënvizoi se jo një Bashki e një rajon, por edhe e tërë Shqipëria është destinacion “i pamjaftueshëm” për interesat e turistit të sotëm. Ajo apeloi për bashkërendim edhe me fqinjët tanë në Greqi dhe për nevojën e prezabtimit si një destinacion sa më divers në panairet turistike e sidomos në atë të Selanikut, në tetorin e sivjetëm.
Solidarizues bindës me qasjen për turizëm përtej kufijve territorialë, ishte edhe Flamur Golemi, Kryetar i Bashkisë Gjirokastër, duke shprehur edhe mendimin e kryebashkiakëve të krejt Qarkut të Gjitpkastrës. Përforcues i kësaj mbështetjeje u shpreh në fjalën e vet edhe Dhimitër Toli, Kryetar i Bashkisë së Dropullit, në të njëjtin Qark.
Vullnet të plotë për t’u përshirë në këtë nismë për turizëm përtej kufijve shtetërorë, shprehën në fjalën e tyre edhe Kryetari i Bashkisë së Dodonit, si dhe nënkryetarët e Bashkisë së Igumenicës, në Greqinë fqinje.
Të pranishmit në Konferencë vizituan me shumë interes ekspozitën e pikave të atraksionit turistik në territorin e Bashkisë së Sarandës e Finiqit, pjesë e ofertës së përbashkët turistike.
Në mënyrën e tyre, në kuadër dhe nën slloganin e Konferencës “Bashkë, për Turizëm pa Kufij”, u përfshinë edhe ekipet e volejbollit e basketbollit mes dy Bashkive, si dhe artistët, që dhanë një program të përbashkët artistik.
Në territorin e Qendrës Kulturore “Katina Papa”, nga autoritetet e pranishme u mbollën fidanë pemësh të reja, si simbol i Turizmit të Integruar.