Është shuar ish-presidenti Bujar Nishani. Ish-kreu i shtetit, aktiv në politikë, që prej 21 prillit ish-presidenti Nishani ishte shtruar në një spital në Gjermani, teksa së fundmi gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar së tepërmi pas infektimit të tij me COVID.
Thuhet se Nishani vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i ka lënë në organizëm.
Po kush ishte politikani shqiptar, ardhur nga radhët e ushtrisë?
Bujar Nishani lindi në Durrës më 29 shtator 1966. Studimet e larta i kreu në vitin 1988 në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë. Studimet pasuniversitare në Menaxhimin e Burimeve të Mbrojtjes i përfundoi në vitin 1996 në Kaliforni, Shtetet e Bashkuara. Nishani ka studiuar edhe jurisprudencë në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, ku u diplomua në Drejtësi në vitin 2004. Në vitin 2005, ai mori titullin Master për Studime Evropiane në Shkollën e Studimeve Evropiane të Universitetit të Tiranës.
Karriera e tij profesionale filloi në vitin 1988 si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”. Më pas, në vitin 1993 shërbeu si drejtor i Punëve të Jashtme në Ministrinë e Mbrojtjes, për të vazhduar në Departamentin e Marrëdhënieve me NATO-n në Ministrinë e Punëve të Jashtme në vitin 1994. Në vitin 1996 Nishani shërbeu në kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Në vitin 1997, ai u emërua dhe shërbeu si kryetar i Forumit Ushtarak Euroatlantik.
Karriera politike e Nishanit lidhet me Partinë Demokratike ku u anëtarësua në vitin 1991. Në vitin 2001 u zgjodh sekretar i degës së Partisë Demokratike Tiranë; në vitin 2003 u zgjodh nga lista e kandidatëve të Partisë Demokratike, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës; në vitin 2005 zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë së PD-së.
Në korrik të vitit 2005, Nishani, kandidat për Partinë Demokratike, u zgjodh deputet në zonën zgjedhore 34 në Tiranë. Në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009, ai u zgjodh sërish deputet.
Nga marsi 2007 deri në shtator 2009, Nishani shërbeu si ministër i Brendshëm; nga shtatori 2009 deri në prill 2011 shërbeu si ministër i Drejtësisë dhe më pas, në prill të 2011 ai u emërua sërish në postin e ministrit të Brendshëm, ku qëndroi deri në qershor të vitit 2012, kur u zgjodh nga Kuvendi i Shqipërisë në detyrën e Presidentit të Republikës.
Më 24 korrik 2012 Bujar Nishani u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë dhe shërbeu në këtë pozitë përgjatë një mandati të plotë deri në vitin 2017. /sarandacity.al/
Your article helped me a lot, is there any more related content? Thanks!