Një ditë më parë, kryeministri Rama do publikonte fotot e radhës së Rilindjes Urbane dhe pikërisht nga Ballshi, qytet i krijuar për Rafinerinë e famshme, e cila tashmë, pasi nuk do ekzistojë më pas viteve lëngatë, vë në pikëpyetje dhe vetë ekzistencën e këtij qyteti apo qyteze.
Pra, ai ndryshim estetik që vijon të promovojë Rama, mund të thuhet se s’vlen një hiç para pikëpyetjes së madhe: do ekizstojë apo jo Ballshi? Sepse nëse do ekzistojë, për çfarë do ekzistojë derisa i ka rënë tërësisht konteksti ekonomiko-social i eksistencës?
Dhe kjo nuk vlen vetëm për Ballshin, vlen dhe për dhjetra qytete apo qyteza në Shqipëri, që nuk ka revolucion estetik që i shpëton nga tendenca e pafrenueshme dot e shuarjes. Janë pikërisht ato që me rënien e sistemit komunist, krijuar nga ai sistem, e kanë humbur tërësisht kuptimin ekzistencial. Dhe kjo mund të thuhet se është gati gjysma e Shqipërisë.
Kjo gjysmë ka jetuar me inercinë e ish-komunizmit dhe gati 20 e ca vite pas rënies së tij, e tani që kjo inerci është shuar, po troket dhe shuarja e tyre. Ky ka qenë e vijon të jetë një ndër debatet e munguara të politikës e jetës publike, ajo mbi kuptimshmërinë e kësaj gjysme, ku përfshihen sidomos ish-qytezat e dikurshme të ekonomisë socialiste.
Turizmi që shpall me të madhe qeveria, duke e trajtuar si “motor ekonomike”, është në rastin më të mirë një iluzion. Turizmi mund të jetë ndihmëtar deri diku, por jo aq burim ekonomik për t’i mbajtur në jetë qendra të tilla banimi, sado të rilindura nga pikëpamja urbane. Me ç’turizëm do mbahet Ballshi, meqë është rasti më i freskët?
Nuk ka asnjë diskutim se Rilindja Urbane është ndër punët më të mira të Ramës, parë sipërfaqësisht. Qytetet e qytezat e Shqipërisë ishin një shëmti e pakapërdishme. Por kjo lloj rilindjeje estetike nuk ka mundur dot të prevalojë mbi aspekte të rrënimit social, ku shkaku kryesor është ekonomia.
Paskomunizmi shqiptar ka provuar se shqiptari nuk e ka dhe aq problem mizerjen urbane nëse ka xhepin plot. Në një kuptim më banal, mjaft të ketë para bollshëm në xhep për të ngrënë e pirë, pa nuk pyet fort për cilësinë arreduese të lokalit. E kundërta, sado luks që të jetë lokali, kur s’ka lekë as i hyn në sy.
Nuk dihet nëse Rama e ka marrë në llogari këtë aspekt kur ka vendosur t’u heqë mizerjen urbane shqiptarëve, pa menduar më parë nëse kanë apo jo më shumë para në xhep si në një të djeshme jo fort të largët, ku prej lekut të madh dhe te shtresat e mesme e të ulëta, Shqipëria shijohej më tepër paçka mizerjes së madhe urbane.
Nuk ka dyshim që sot Shqipëria, në aspekt të kualitetit urban, infrastrukturës dhe estetizmit të jetës, është ku e ku nga e djeshmja. Sot dhe tokat janë më të punuara, duke qenë madje dhe ato të rilindura estetikisht, të cilat i kanë dhënë Shqipërisë një pamje dhe më shumë tërheqëse për syrin. Por krahas kësaj, Shqipëria vuan sot problematika që deri dje as në lajme nuk ekzistonin. Kryesorja, prej nga rrjedhin të tjerat, është ekonomia. Ajo lloj ekonomi që çon para në xhepat e të gjithë shtresave dhe që ka si burim fronte të qëndrueshme punësimi. Nuk janë bujtinat ato që prodhojnë para, sado tërheqëse dhe sado ndihmëtare ekonomie. Ashtu siç me Rilindjen Urbane, e cila sado tërheqëse, së paku deri më tani ka rezultuar dështim në terma ekonomiko-socialë.
Si në Ballsh: aty nuk duan rrugë apo fasada më të bukura, aty duan punë dhe të ardhura më të shumta. Kush do jua sigurojë tashmë që Rafineria nuk do ekzistojë?
Ky është debati, jo vetëm për Ballshin por për gati gjysmën e Shqipërisë që është si Ballshi. /sarandacity.al/