Me firmën e saj, sa e sa gjykatës e prokurorë janë shkarkuar nga detyra si të padenjë moralisht, por dhe vetë ajo paska qenë e tillë mesa duket. Është fjala për Etleda Çiftjan, anëtaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, e cila është marrë në hetim nga SPAK nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe deklarimit të rremë.
Kështu, pas anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci dhe Ardian Hajdari, SPAK ka zbritur në shkallën e parë të vettingut për të kapur pikërisht aty “djallin me veshje engjëlli”, ndër ata që u bëjnë gjyqin të tjerëve.
Sipas një burimi, SPAK është vënë në lëvizje si në dy rastet e para, pas kallëzimeve të mbërritura nga ish-gjyqtarë apo prokurorë të shkarkuar nga detyra për anëtaren e KPK-së.
Megjithëse u zgjodhën në vitin 2017 nga Kuvendi, në një proces ku u kryen dhe verifikime dhe duhet të kalonin disa filtra, të vetuarit duket se po rezultojnë me probleme në të shkuarën e tyre. /sarandacity.al/